Intervistat/ “Luanim bukur dhe humbnim”, Cungu: Ka rëndësi vetëm fitorja, mos harroni stresin dhe presionin

Gjatë ditës së sotme janë luajtur edhe tre ndeshje të tjera për Superioren, atje ku Skënderbeu ka fituar me rezultatin 0-1 ndaj Vllaznisë në minutat e fundit. Laçi ia ka dalë në shifrat 0-2 ndaj Luftëtarit, ndërsa pa gola është mbyllur mes Bylisit dhe Flamurtarit. Më poshtë mund të ndiqni edhe intervistat e protagonistëve të takimit për “Supersport”:

Novi (Luftëtari): “Më vjen keq që kam humbur në debutim, por në minutën kur erdhi penalltia kemi luajtur si të barabartë me Laçin. Shpresat tona janë të vogla për të mbijetuar, por ne do bëjmë futboll dhe do respektojmë kampionatin. E kam thënë edhe më parë që këtu askush nuk do e ketë të lehtë. Edhe nga presidenca e ekipit më kanë komunikuar për vazhdimësinë dhe kemi menduar për të ardhmen. Nuk është se jemi të rënë nga kategoria dhe të mendojmë për vitin tjetër”.

Daja (Skënderbeu): “Në radhë të parë dua të falenderoj tifozët shkodranë për respektin dhe pritjen që na kanë treguar, pasi na duartrokitën në fund dhe ishte ambient fantastik. Në pjesën e parë kemi luajtur ne më mirë, ndërsa në të dytën ishte më mirë Vllaznia. Pastaj në fund kemi konkretizuar siç nuk kemi bërë më herët dhe na ka buzëqeshur fati. Krasniqi nuk ka qenë në gjendjen më të mirë shëndetësore, prandaj nuk u aktivizua më herët. Për Krasniqin më mirë që të prisnim për momentin më të duhur që ta hidhnim në fushë, sesa të shpejtonim dhe t’i përsëritej dëmtimi”.

Troisi (Flamurtari): “Ajo që po bëjmë është rritja në cilësinë e lojës dhe të aktivizojmë lojtarët që më parë nuk kishin hapësira, pasi mbijetesa është shumë e vështirë. Po pres që të takoj Idrizin dhe të flas për projektin e tanishëm dhe për të ardhmen. Sa i përket ndeshjes dua të përgëzoj lojtarët se dhanë gjithçka kishin. Luajtëm ndaj një ekipi të fortë si Bylisi. Ky kampionati shqiptar është shumë i fortë dhe ne kemi disa lojtarë cilësorë”.

Cungu (Laçi): “Sigurisht që do të ishte perfekte që pikët do të shkonin së bashku me lojën e bukur. Por në këtë fazë ku jemi tani në kampionat, duhen vetëm pikët dhe rezultatit, jo loja e bukur. Bie dakort që këto dy ndeshje nuk kemi bërë ndeshje të mira, por kemi luajtur më bukur se kaq dhe kemi humbur. Tani rëndësi ka rezultati. Mos harroni që tensioni dhe stresi është i madh te të gjitha ekipet pasi po vjen kampionati drejt fundit. Pastaj edhe kalendari është shumë i ngjeshur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *