Intervistat/ Ndali Tiranën e Egbos, Daja nuk ka pendesë: I drejtova dikur, por kam mentalitet fituesi
Tirana është ndalur për herë të parë dhe nuk ka arritur të fitojë, që nga koha kur te bardheblutë ka arritur Egbo. Korçarët arritën të shënonin në pjesën e parë me Dejvi Bregun, që ka gjasa të jetë i fundit për Skënderbeun, pasi mund të transferohet në Rusi, atje ku merkato mbyllet në 21 shkurt. Ndërkohë golin e barazimit për bardheblutë e ka shënuar Kale. Më poshtë mund të ndiqni intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Ilir Daja (Skënderbeu): “Një pikë e fituar dhe dy pikë të lëna, pasi kishim mundësi të artë në fundin e lojës. Kemi spostuar Ditën në mesfushë, megjithëse është roli i vetë, por ka luajtur në qendër të mbrojtjes. Nëse Gripshi do të ishte treguar më fanatik atje në fund, do të kishim marrë tre pikët. Por Tirana është e fortë dhe ne jemi të kënaqur edhe me kaq. Elezi e ka fituar vendin e titullarit me punë, është kthyer në lojtar kyç për ne dhe i përket datëlindjes 2001. Gripshi është pak i justifikuar pasi ka ndërruar disa pozicione në fushë dhe do kohën e vetë. Mentaliteti i fituesit vazhdon të mbetet te unë, pavarësisht se kam qenë trajneri i Tiranës dikur”.
Dejvi Bregu (Skënderbeu): “Kënaqësi të luash dhe shënosh në këtë stadium fantastik. Më vjen keq që goli nuk kishte vlerën e tre pikëve, por edhe ky ishte rezultat i drejtë. Ku do të largohem tani në shkurt? Unë nuk e di për vete, të ma thonin do të bënin mirë (qesh). Tani jam duke pritur. Kam ndierë dhimbje që nga nxehmja dhe i thashë trajnerit që do të duroja”.