11 vite të përkushtuara në informacionet rreth Partizanit! “Sport Ekspres” sjell një intervistë ndryshe me një faqe të njohur në “Facebook”, e dedikuar vetëm për klubin tek të kuqtë, “Partizani Fan Club”. Nëse për shumëkënd rroga e marrë nëpërmjet punës së shkrimeve të lajmeve nuk është e mjaftueshme, Marlind Kurti nuk ka fituar kurrë nga ndarja e informacioneve me tifozët e tjerë të ekipit.
Por kjo nuk është një arsye e mjaftueshme për ta lënë në mes këtë punë, përkundrazi, vazhdon ta ushqejë me dashurinë e madhe. Në mediat italiane ka jo pak faqe që janë të dedikuara për klube të veçanta të Serisë A. E në këtë frymë është edhe “Partizani Fan Club”. 24-vjeçari që jeton në Francë, na tregon pasionin e madh dhe njëkohësisht impaktin e punës së tij që ndiqet në rrjetin social edhe nga presidenti i klubit, Gaz Demi.
Një faqe e dedikuar për një klub të caktuar, për të informuar tifozët. Fillimisht për të pyetur, a përfiton diçka nga e gjitha kjo?
Pikë së pari përshëndetje dhe ju falënderoj për këtë intervistë. Të them të drejtën jo, nuk përfitoj asgjë, gjithçka e bëj për të informuar gjithë tifozerinë e mrekullueshme të Partizanit. Mbi të gjitha jam shumë i lidhur me këtë klub dhe mundohem të gjejë sa më shumë informacione rreth ekipit për të informuar të gjithë tifozët dhe dashamirësit e Partizanit.
Puna e bërë me pasion, sa ia vlen dhe a mendon ndonjëherë për ta lënë pasi në fund të ditës, llogaritë bëhen me paratë e fituara?
Patjetër që ia vlen, vetëm duhet të kesh pasionin dhe dashurinë që unë e kam për këtë skuadër. Nuk e mendoj kurrë që ta lë ndonjëherë, kam 11 vite që merrem me këtë faqe të dedikuar Partizanit.
Në Itali ka padyshim shumë faqe të dedikuara klubeve të posaçme të Serisë A. A ka reagime herë pas here nga drejtuesit e klubit të Partizanit rreth shkrimeve që mund të publikohen në faqen tuaj?
Reagime negative nuk kemi pasur nga klubi. Pavarësisht se janë fshirë disa faqe të tjera të dedikuara për Partizanin, puna jonë vazhdon që të mbetet dhe për të këtë më vjen mirë. Kjo faqe ndiqet edhe nga presidenti i klubit, Gaz Demi, përfshirë pjesëtarët dhe lojtarët.
Çdo gjë rrotullohet rreth Partizanit për ju? Pra duke ditur se kjo nuk është punë parësore, si gjendet koha e lirë për të informuar tifozët dhe njëkohësisht për të qenë të azhornuar me lajmet e fundit?
Këtë punë nuk e bëjë për para, por për pasionin e madh që kam për Partizanin pasi e kam ndjekur që në moshën 5-vjeçare. Kohën e lirë ia dedikoj kësaj, sado e vështirë është për të gjetur informacione, por fal këmbënguljes ia arrij edhe duke ditur vështirësinë që jetoj jashtë. /Sport Ekspres/