Rei Manaj mund të mbetet në Spanjë. Sipas lajmeve të fundit që vijnë nga Interi, sulmuesi pëlqehet nga Getafe, pas aventurës aspak të mirë te skuadra e Granadas në Segunda Division. Getafe, skuadra e La Ligas, ka shfaqur interes dhe po përgatit një ofertë, teksa sigurisht edhe zikaltërit do të duan që të shtyjnë për këtë zgjidhje, pasi sulmuesi nga Lushnja mund të sjellë përfitime, si në këtë rast. Manaj u shit nga Kremoneze për thuajse 1 mln euro, por pas disa paraqitjesh me ekipin e Interit, më pas nisi një seri huazimesh, si te Peskara apo Piza, deri te kalimi në Spanjë, me Granadan, aty ku zhgënjeu totalisht dhe shënoi vetëm 1 gol.
“Eksperienca te Granada nuk ishte ashtu si e prisja, por më ka rritur edhe më shumë…”, do të thoshte ai ditë më parë. Aktualisht, sulmuesi i Shqipërisë, pas miqësoreve ndaj Kosovës dhe Ukrainës, ndodhet me pushimeve, teksa nuk dihet nëse në korrik do të prezantohet në grumbullimin e Interit apo të një tjetër skuadre. Zikaltërit e vlerësojnë rreth 1,5-2 mln euro dhe do të ishin gati edhe për një huazim, por këtë herë me detyrim blerje. Getafe mendohet dhe vlerëson, teksa Granada e ka bërë të qartë: nuk do ta mbajë!