Interi i dhuroi një karrierë të dytë Romelu Lukakut, i cili nën urdhërat e Antonio Conte-s arriti të nxirrte më të mirën e tij. Vendimtar me golat e tij dhe një nga pikat kyçe në suksesin e titullit kampion, belgu ia doli që menjëherë të fitonte zemrat e tifozëve interist.
Por skuadra italiane rezultoi kalimtare në karrierën e tij, teksa tashmë i përket të shkuarës. Zemra e Lukakut duket se rreh vetëm për Chelsea-n. Sulmuesi shtatlartë nuk e mendoi dy herë t’i thoshte po bluve të Londrës, me të cilët marrëdhënia nuk është vetëm profesionale, pasi është një tifoz i tyre.
Këtë e ka bërë të qartë me deklaratat e tij, si dhe e ka pohuar edhe më shumë në derbin e sotëm kundër Arsenalit. Lukaku tundi rrjetën që në minutën e 15 dhe mënjëherë puthi stemën e Chelsea-t për të treguar dashurinë e madhe për klubin. Goli i parë me ekipin e Tuchel është përjetuar së tepërmi nga belgun, që ka vendosur duart përpara fytyrës në mënyrë që të çlirohej nga emocionet e tij./Halit Delibashi-Sport Ekspres/