Te një Liverpul që është ndërtuar për të fituar gjithçka dhe në kryesimin e Jurgen Klop, Shaqiri ka hapësira inekzistente. E bashkuar kjo edhe me një dëmtim që lojtarin nuk e ka lënë të qetë prej kohësh, bën që largimi nga Liverpuli të jetë i pashmangshëm.
Merkato e janarit do të jetë vetëm një zyrtarizim i kësaj çështje, pasi vendimi nga lojtari është marrë sepse kërkon minuta në këmbë. “Calciomercato” përmend hipotezën se Shaqiri mund të rikthehet sërish në Milano, por këtë herë me fanellën e “rivalit të përjetshëm” të Interit, Milanin. Jemi ende në fazën e negocimeve dhe në ditët e ardhshme do të kemi një konkretizim më tepër në lidhje me këtë rast.
Por dëmtimi i vazhdueshëm i Shaqirit, të sjellë në mendje edhe historinë epike që ka treguar vetë lojtari për “Sport Bible”, gjatë kohës kur ka qenë te zikaltrit. “Një ditë isha i dëmtuar, por duhet të rikuperoja shpejt për të luajtur ndeshjen tjetër… Interi më tha se ishte një magjistar, një kurues që jetonte në mal.
Bëhej fjalë për një person në moshë i cili kishte aftësinë të shëronte. Mora makinën, udhëtova 1 orë e gjysmë dhe ai më kuroi, por asgjë nuk më bëri, isha si më parë”. Nëse Milani do e përmbyll marrëveshjen, shpresohet se do të ketë të tjera metoda për rikuperimin e lojtarit, pasi dihet që Shaqiri i ka këto probleme të shpeshta. /Sport Ekspres/