Inter-Juventus nuk ka zhgënjyer këtë 14 shkurt. Derbi i Italisë ishte dhurata më e bukur për të dashuruarit e futbollit. Një sfidë që ka prodhuar plot emocione, raste dhe gola. Interi kaloi i pari në epërsi falë autogolit të Kambiasos në minutën e 17. Por vetëm 9 minuta më vonë Kambiaso korrigjoi gabimin dhe shënoi golin e barazimit për Juven.
Ndërkohë vetëm 3 minuta para fundit të pjesës së parë, loja mori një rrjedhë tjetër për bardhezinjtë. Kalulu shkaktoi një goditje dënimi që e nxori ng loja me karton të kuq. Një vendim ky që ndikoi jo pak në lojë, teksa “zonja e vjetër” është përballur me një lojtar më pak për më shumë se 45 minuta. Interi e shfrytëzoi më së miri epërsinë numerike dhe në minutën e 76 gjeti rrugën e rrjetës me anë të Pio Espositos.
Por lojtarët e Juventusit treguan grintën e duhur për një derbi të kësaj peshe. Lokateli barazoi sërish shifrat me golin e shënuar në minutën e 84-t, duke e bërë më dramatike mbylljen e këtij derbi. Megjithatë ndeshja nuk përfundoi këtu. Goditja e Zielinskit në minutën e 91-të u ndal në rrjetë dhe ndezi festën në “Xhuzepe Meaxa”. Interi arriti kështu të fitonte me rezultatin 3-2 ndaj një rivali të drejtpërdrejtë si Juventusi dhe vazhdon kështu “arratisjen” në krye të tabelës së renditjes./Sport Ekspres/