Holanda dëshiron të shkojë në Europian dhe duke marrë parasysh emrat e lojtarëve që ka, ka shumë mundësi që të gjendet atje. Por në fillim ata duhet të bëjnë mirë në kualifikuese dhe e nisin kundër Francës.
Holanda hap kualifikueset me një trajner të ri, pasi Ronald Koeman është rikthyer në stol, duke pasuar Louis van Gaal, i cili u largua nga kombëtarja pas humbjes nga Argjentina në çerekfinale të Botërorit të Katarit.
Holandezët i pret një derbi i madh, pasi nesër do të përballen me francezët në transfertë, ndërsa tre ditë më pas do të luajnë në shtëpi kundër Gjibraltarit. Në grupin B, përveç këtyre tre kombëtareve, janë edhe Irlanda dhe Greqia.
Të enjten, Holanda njoftoi se Sven Botman, Cody Gakpo, Matthijs de Ligt, Joey Veerman dhe Bart Verbruggen janë larguar nga stërvitja. Të pesë po luftojnë me një infeksion që i pengoi ata nga përgatitjet normale për ndeshjen me Francën. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/