Infantino pret Dukën në Paris, kreu i FSHF-së: FIFA, mbështetëse e madhe e jona

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka është pritur ngrohtësisht në Paris nga Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ku ka vizituar nga afër edhe zyrat e reja të FIFA-s. Në kuadër të finales së Champions League në kryeqytetin francez, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar pati mundësinë të takonte nga afër edhe Presidentin e FIFA-s, i cili e priti në një takim ku u diskutua rreth projekteve të ardhshme mbi futbollin.

Në një intervistë të shkurtër për FIFA-n, Presidenti Duka rrëfen detaje nga takimi, ndërsa vlerëson edhe ndërtimin e zyrave të reja në Paris, duke e cilësuar si një vendim të drejtë që i afron federatat anëtare më shumë me njëra-tjetrën. Gjithashtu, kreu i FSHF-së flet edhe për bashkëpunimin me FIFA-n dhe mbështetjen që institucioni botëror i futbollit i ka dhënë Shqipërisë për zhvillimin e kësaj loje në vendin tonë.

Pikat kryesore të bisedës me Presidentin Infantino – Ishte në fakt një vizitë në zyrat e FIFA-s në kuadër të ndeshjes finale të Champions League, por gjithashtu një takim surprizë me Presidentin e FIFA-s në zyrat e reja në Paris. Biseda gjatë takimit me Presidentin ishte rreth futbollit, mbi ngjarjet e fundit, zhvillimet e FIFA-s si dhe projektet e reja që FIFA ka për të ardhmen, për zhvillimin e futbollit në botë. Pa dyshim që ishte një suprirzë dhe kënaqësi e madhe për ne të kishim edhe një bisedë më të ngushtë dhe më pak formale, ose konfidenciale me Presidentin, Z. Gianni Infantino.

Avantazhet e zyrave të reja të FIFA-s në Paris – Kjo ishte një nga gjërat që diskutuam edhe me Presidentin. Gjithashtu e diskutova këtë gjë edhe me Kenny Jean-Marie më parë dhe ishte një vendim shumë i mirë i FIFA-s për të pasur zyrat në Paris, pasi është shumë i aksesueshëm për federatat anëtare dhe mendoj se ky vendim është marrë për  t’u afruar më shumë me anëtarët sesa për komoditetin e zyrtarëve. Kështu që për mua, ky është një nga vendimet më të drejta që është marrë.

Bashkëpunimi dhe mbështetja nga FIFA – Dua te them se Federata Shqiptare e Futbollit është një anëtare e vjetër e FIFA-s –  që prej vitit 1932, kështu që ne kemi 90 vite si anëtarë të FIFA-s. Përgjatë kësaj kohe, FIFA ka qenë mbështetëse apo nxitëse shumë e madhe e zhvillimit të futbollit në një vend të vogël dhe jo shumë të zhvilluar si Shqipëria. Por, në vitet e fundit, mbështetja ka qenë edhe më e madhe. Mjafton të marr si shembull tre vitet e fundit, ku kemi ndërtuar një qendër stërvitore ose edhe Shtëpinë e Futbollit, që u bë e mundur vetëm falë projektit FIFA Forward, që përfshin zyrat e FSHF-së, dy mini-stadiume të vogla dhe disa ambiente të tjera shërbimi për futbollin shqiptar. Përveç këtyre, janë zhvilluar edhe shumë projekte të tjera, por FIFA vitet e fundit ka qenë shumë më aktive në mbështetjen e federatave kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *