Inaugurohet stadiumi “Egnatia Arena”, Presidenti Duka: Dita më e gëzuar për futbollin e Rrogozhinës. Investim shumë i mirë për futbollin shqiptar

Para nisjes së ndeshjes Egnatia – AF Elbasani, u zhvillua ceremonia zyrtare e inaugurimit të stadiumit të ri “Egnatia Arena” në Rrogozhinë, një moment historik për klubin, qytetin dhe futbollin shqiptar.

Ky impiant modern është rindërtuar nga e para, falë vizionit dhe përkushtimit të Presidentit të KF Egnatia, Agim Demrozi, si dhe mbështetjes së rëndësishme financiare të Federatës së Futbollit.

Me kontributin e FSHF-së janë investuar mbi 2 milionë euro në ndërtimin e tribunës së re, sistemin e ndriçimit, mbulesat dhe stolat, ledin perimetral dhe ekranin elektronik, duke sjellë një infrastrukturë moderne dhe të standardeve europiane.

Në këtë ceremoni morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Presidenti i KF Egnatia, Agim Demrozi, të cilët zbuluan së bashku pllakatën e inaugurimit, mes duartrokitjeve të shumta të tifozëve.

 

Gjatë një prononcimi për fshf.org, Presidenti Duka e cilësoi këtë ditë si një ndër më të rëndësishmet për futbollin e Rrogozhinës dhe për klubin e Egnatias. Ai theksoi se stadiumi i ri, me kapacitet rreth 5 mijë vendesh dhe i pajisur me të gjitha kushtet e një impianti të kategorisë 4, është gati për të pritur çdo ndeshje ndërkombëtare.

Presidenti Duka e përmbylli fjalën e tij me një apel për më shumë tifozë në stadiume dhe për një promovim më të mirë të kampionatit shqiptar.

“Është dita më e mirë, më e gëzuar për futbollin e Rrogozhinës, për klubin e Egnatias, sepse sot zyrtarisht do të përurojmë impiantin e ri sportiv, stadiumin me një kapacitet rreth 5 mijë vendesh, me sistem ndriçimi, me të gjitha kushtet e një stadiumi të kategorisë 4, ku mund të luhet çdo lloj ndeshjeje ndërkombëtare. Fatmirësisht, këtu do të zhvillojmë ndeshje të Kampionatit Europian U-17 2025. Është vërtet një investim shumë i mirë për futbollin, për të gjithë Kategorinë Superiore dhe jo vetëm për Rrogozhinën. Me këtë rast, dua të falënderoj klubin e Egnatias për kontributin, për gatishmërinë dhe pse jo, edhe për kontributin sportiv, sepse vitin e kaluar ka pasur suksese duke fituar të tre trofetë e kompeticioneve të garave në Shqipëri dhe përsëri është faktor. Uroj që të ketë suksese të mëtejshme, uroj që të ketë sa më shumë fëmijë, por ajo që mbetet sfida kryesore për Egnatian, për të gjitha klubet e ‘Abissnet Superiore’ dhe për të gjithë futbollin shqiptar, nën asistencën e Federatës së Futbollit, është promovimi më i mirë i kampionatit, që për mua është vërtet i bukur. Më shumë spektatorë në shkallët e stadiumit për të ndjekur kampionatin. Suksese, urime dhe ta gëzojnë këtë impiant të ri”, – tha Presidenti Duka.

 

Presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, e cilësoi një ditë historike për qytetin e Rrogozhinës dhe falënderoi FSHF-në dhe Presidentin Duka për kontributin e dhënë në ndërtimin e stadiumit “Egnatia Arena”.

“Sot është një ditë historike për qytetin e Rrogozhinës. Inaugurojmë impiantin e ri të futbollit. Jemi shumë falënderues ndaj Federatës, me në krye Presidentin Armand Duka, për kontributin që na kanë dhënë për ndërtimin e këtij stadiumi”, – tha Presidenti i Egnatias, Agim Demrozi.