Impakti i projektit “Uniforma Ime” / Shoqata Rajonale e Futbollit Gjirokastër, takim me trajnerë e drejtues akademish

Projekti madhor i FSHF-së, që nis të zbatohet në këtë edicion, “Uniforma Ime” ka hyrë në fazën më të rëndësishme, teksa vazhdojnë konsultimet me të gjitha shoqatat rajonale të futbollit për të marrë të gjitha të dhënat për fëmijët që luajnë futboll nga klubet dhe shoqatat e futbollit në të gjithë vendin.

Në këtë kuadër edhe Shoqata Rajonale e Futbollit Gjirokastër ka zhvilluar një takim me trajnerët e klubeve dhe drejtuesit e akademive të rajonit të Gjirokastrës për organizimin e sezonit të ri futbollistik 2022/2023. Pjesëmarrësit u informuan nga përfaqësuesit SHRFGJ mbi mbështetjen e madhe dhe konkrete të Federatës Shqiptare e Futbollit për futbollin në përgjithësi, e më konkretisht për projektin e rëndësishëm “Uniforma Ime”, që do të pajisë të gjithë fëmijët që luajnë futboll në të gjithë vendin me uniforma loje e stërvitjeje, komplet tutash dhe çantë falas, duke filluar nga mosha U-7 e deri në moshën U-19.

Një projekt që ka një kosto prej 1 milionë eurosh në vit e që pritet të afrojë edhe më shumë fëmijët e vegjël, vajza dhe djem, me futbollin, përmes uljes së vazhdueshme të kostove për çdo familje.
Shoqata Rajonale e Futbollit Gjirokastër, pasi u shpjegoi trajnerëve dhe drejtuesve të akademive projektin në detaje, bëri me dije se qëllimi kryesor është nxitja e futbollistëve të rinj dhe krijimin e kushteve sa më të mira për të luajtur futboll, por edhe uljen e shpenzimeve të çdo familje që ka një fëmijë që luan futboll me ekipe.

Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë prej kohësh përsipër çdo shpenzim tjetër nga arbitrat, mjek dhe delegat, që shërbejnë për mbarëvajtjen sa më të mirë të skuadrave apo për zbulimin e zhvillimit të talenteve dhe i lojës për çdo fëmijë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *