Ivan Balliu është rritur tek Barcelona, i vetmi futbollist i Shqipërisë i cili është gatuar në brumin e “La Masias”, një shkollë futbolli botërore. Historia e tij te Kombëtarja jonë është e çuditshme, duke nisur që nga tërheqja dhe debutimi me Shqipërinë, për të përfunduar me zhvillimin e tij te kuqezinjtë. Shpesh shihet në stol, kthehet për të bërë një super ndeshje, më pas një ndeshje më normale dhe pastaj rikthehet sërish në stol.
Kështu ndodhi edhe së fundmi, teksa Balliu realizoi ndeshjen e jetës kundër Gjeorgjisë në transfertë, hera e fundit që kishte luajtur po kaq mirë i përkiste një miqësore me Spanjën, pasi në Europian, krahu i tij u la tërësisht i lirë për Grimaldon që krosonte dhe fuste topa prej andej, sa herë që dëshironte.
Diçka më normal ishte Balliu në dy ndeshjet e nëntorit, megjithëse nuk bërë gabime të mëdha që ndikuan në rezultat. Së fundmi lojtari ynë ka dhënë një intervistë të gjatë, një rrëfim të gjatë për Sport Jot Doën në Spanjë. Ai ka folur për mënyrën sesi erdhi te Shqipëria, ka folur për zhvillimin e madh të futbollit shqiptar në infrastrukturë, ka treguar për Lionel Mesin, por ka bërë edhe një zgjedhje tronditëse. Pavarëissht se pohon me krenari që është shqiptar, për Balliun nuk kishte asnjë mëdyshje, të fitonte Europa League me Vallecanon për të është më emocionuese se të fitojë Europianin me Shqipërinë.
“Lionel Messi gjithmonë më trajtonte shumë mirë. Në atë kohë kisha një agjent argjentinas që shkonte shumë mirë me babanë e tij dhe mënyra se si më trajtonte gjatë kohës që isha atje ishte gjithmonë spektakolare. E pabesueshme. Messi ishte shumë i rezervuar, ulej në vendin e tij në dhomën e zhveshjes, atje me celularin. Është ajo që thua, se ai kishte një dhuratë nga Zoti. Unë dilja për t’u stërvitur, unë shkoja dy orë më para në klub, shkoj në palestër, lëviz, bëj biçikletë, pak palestër… dhe ai nuk bëri asgjë: la celularin kur mbaruam ne, dhe filloi thjesht stërvitjen normale dhe pastaj bëri atë që donte.
Shqipëria? Është për të qeshur, sepse më parë kisha marrë gjithmonë shumë mesazhe në Tëitter në shqip dhe mendoja se ishin nga njerëz të hutuar. Epo, kur isha tashmë në Metz, u kontaktova nga Federata Shqiptare, e cila sapo kishte luajtur në Kampionatin Evropian të Francës.
Më thanë se mbiemri Balliu ishte shumë tipik në Shqipëri dhe se aty kisha të afërm. Që në atë moment filluam të kërkojmë me ndihmën e tyre, gjetëm një fije për të tërhequr me një stërgjysh të emigruar, munda të merrja pasaportën dhe të debutoja me kombëtaren.
Mënyra se si po ju them duket mjaft e thjeshtë, por e vërteta është se ishte mjaft e vështirë për ta bërë këtë, por hapi i parë ishte kështu: u takuam me presidentin e Federatës në Paris, shkuam për darkë dhe aty më paraqiti një projekt dhe më tha se do të donin t’i ndihmoja të rriteshin.
Duke qenë se kaq shumë njerëz kanë emigruar nga Shqipëria në vende të tjera, vetë Federata ka një departament që është përgjegjës për gjetjen e lojtarëve me origjinë shqiptare dhe të tillë ka plot. Në fakt, pothuajse në çdo pushim ndërkombëtar, vijnë dy ose tre lojtarë që nuk kanë luajtur kurrë më parë dhe ata praktikisht bëjnë debutimin e tyre në mënyrë që të mund të thonë, të paktën, “Ai është i yni tani”.
Personalisht, e pashë të luaja për Shqipërinë si një mundësi të madhe. Ishte një shans që do të më sillte shumë dhe do të kontribuonte shumë në karrierën time, pasi do të kisha mundësinë të luaja edhe në një Botëror, një Kampionat Evropian… Sapo u shfaq opsioni, nuk u mendova dy herë. .
Sa herë që jemi aty na trajtojnë shumë mirë dhe marrim shumë dashuri. Është e vërtetë që këto vitet e fundit kanë ecur shumë mirë me kualifikimin në Europian. Vendi na mbështet shumë dhe ju ndiheni si mbret, sepse ju trajtojnë në mënyrë spektakolare në çdo mënyrë. E vërteta është se ndjej shumë dashuri dhe jam krenari që jam shqiptar. Tifozeria atje është e çmendur, të gjitha biletat shiten përpara kohe, dëgjon çmenduri nga më të ndryshmet, shesin dhe blejnë makina vetëm për të marrë bileta dhe për të parë Shqipërinë, dëgjon shumë marrëzi, janë të çmendur pas Kombëtares dhe po, të bëjnë të ndihesh mbret”.
Në fund, gazetari ka thënë: “Tani vjen pyetja më e vështirë, të fitosh Europianin me Shqipërinë apo të fitosh Europa League-n me Rayo Vallecanon?”. Përgjigja e Balliut ishte befasuese, në fakt mbrojtësi nuk e mendoi dy herë dhe për të kjo pyetje nuk ishte edhe aq e vështirë: “Të fitojë Europa Leaguen me Vallecanon, kaloj shumë kohë të bukura me Kombëtaren, por ti kujdesesesh për klubin tënd, atje ku shpenzon cdo ditë dhe ndihesh më mirë”. /Sport Ekspres/