Mbrojtësi i Kukësit: Vendi i dytë është një motiv i madh për ne, por nuk ka mbaruar asgjë. Po fituam këtë javë, do jetë e lehtë për të mbajtur pozitën ku ndodhemi
Jurgen Zela
Kukësi ka një ndeshje tepër delikate të shtunën në shtëpi, ku do presë “demat” e Partizanit, tashmë të uritur për të arritur vendin e dytë që mund të vlejë një biletë për në Champions, nëse CAS nuk ndryshon vendimin e Skënderbeut. Në ndeshjen e fundit Kukësi arriti që të fitonte minimalisht me Kamzën, me golin që u shënua nga Elton Kale. Megjithatë iniciatori i aksionit ishte Bujar Idrizi, ai që harkoi nga e djathta. Mbrojtësi 26-vjeçar flet për “Sport Ekspres”, duke u fokusuar kryesisht te përballja me “të kuqtë” e kryeqytetit. Idrizi flet për sezonin në tërësi, por dhe për objektivat, duke e pranuar se mund të konsiderohet një sezon i suksesshëm nëse garantohet Kupa e Shqipërisë dhe vendi i dytë.
-Bujar, pas janarit Kukësi duket një tjetër skuadër, si e shihni këtë ecuri të skuadrës?
Pas janarit mendoj se kemi bërë një punë të mirë. Jemi rritur shumë si skuadër, jemi shumë më komodë, luajmë më mirë. Mendoj se kemi kapur ritmin dhe kemi formuar karakter fituesi.
-Sa ju shqetëson fakti se ekipi nuk po prodhon lojë, pavarësisht se po merr rezultate?
Ne kemi luajtur ndeshje shumë të mira deri këto 2-3 takimet e fundit. Ndonjëherë na ka munguar edhe fati, po mendoj që rëndësi ka t’i marrim pikët e plota, më pas kemi kohë t’i rregullojmë gabimet dhe ta përmirësojmë lojën gradualisht. Personalisht mendoj se një ndër arsyet kryesore që s’kemi luajtur mirë është se kemi qenë të lodhur nga ndeshjet e shpeshta në Kupë dhe kampionat.
-Ju kemi parë që të luani si një mbrojtës, por së fundmi dhe si mesfushor, pse kjo lëvizje? Personalisht ku ndiheni më komod?
Pozita ime është mbrojtës i djathtë, atë ku dhe ndihem më mirë, por si mesfushor i djathtë më ka vendosut trajneri dhe unë zbatoj çdo urdhër që jep ai. Jam munduar të jap maksimumin edhe në atë pozicion.
-Ju pret takimi me Partizanin, sa deçiziv është ky takim, duke marrë parasysh se Kukësi ka avantazhin e 6 pikëve diferencë?
Takimi me Partizanin mendoj që do jetë një ndër ndeshjet kyçe në këtë kampionat për ne. Nuk kemi presion. Si në çdo ndeshje tjetër do të japim maksimumin sepse nëse marrim pikët e plota do ta kemi shumë më të lehtë ta ruajmë vendin e dytë dhe do jemi më të qetë në vazhdimësi.
-Mund të jetë ndeshja që do vuloste një herë e mirë vendin e dytë?
Vendi i dytë është një mundësi shumë e madhe për ne. Do mundohemi ta ruajmë me çdo kusht. Duhet të japë maksimumin secili lojtar, dhe më pas do të shohim se çfarë do bëhet.
-Do ishte i mjaftueshëm dhe një barazim, duke ditur që në Kukës keni hasur jo pak probleme?
Në çdo ndeshje ne futemi për të fituar, si brenda ashtu dhe jashtë. Jemi duke punuar në stërvitje, duke përgatitur lojën që të paraqitemi sa më mirë.
-18 ndeshje këtë edicion me Kukësin, pret Idrizi më shumë nga vetja?
Jam i kënaqur personalisht, por do punoj edhe më shumë që të marr sa më shumë minuta që të jetë e mundur e të ndihmoj skuadrën në objektivat që kemi.
-Vendi i dytë mund të jetë një mundësi për Champions, është një motiv akoma dhe më i madh për skuadrën?
Vendi i dytë është motiv edhe më i madh, por asgjë s’ka përfunduar se ka shumë pikë në lojë. Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një deri në fund dhe të japim maksimumin. Them se të gjithë lojtarët janë në formë të mirë. Uroj që të vazhdojmë me këtë ritëm.
-Kupa dhe vendi i dytë do ishte, do mjaftonin për ta konsideruar sezonin e suksesshëm?
Synimi ynë padyshim që është edhe Kupa. Mendoj se kemi marrë një rezultat të favorshëm në Laç, pasi nuk kemi pësuar gol, por dhe na u anulua një gol. Ndeshja e kthimit do të jetë e hapur, sepse s’ka mbaruar asgjë. Mund të them se një ndër objektivat kryesor të klubit është Kupa e Shqipërisë. Nëse sigurojmë vendin e dytë dhe fitojmë Kupën e Shqipërisë, mund ta konsiderojmë një sezon të suksesshëm.
-Pas ndeshjes në Kamzë festuat me tifozët, keni një thirrje për ta pasi kanë munguar në Kukës?
Tifozët kuksianë na kanë përkrahur gjithmonë. Janë lojtari i 12-të për ne dhe i falënderoj të gjithë për përkrahjen që e tyre edhe kur ne nuk kemi treguar lojëra të mira. U bëj thirrje që të jenë në numër sa më të madh të vijnë sepse Kukësi ka nevojë më shumë se kurrë për ta, duke e ditur që ne çdo ndeshje e kemi si finale tani.