Çfarë ndodh kur Raxha Naingolan përfundon në qendër të vëmendjes? Zakonisht, mesfushori do ketë bërë ndonjë broçkull nga të tijat. Herë me cigare e herë i pirë, belgu është një personazh i çuditshëm, krejtësisht jashtë rregullave, por që me rendimentin që ka në fushë, askush nuk i kërkon llogari.
Futbollisti i Romës është dënuar me heqje patente për një muaj, urdhër i një gjykatësi në Belgjikë, pasi Naingolan ishte ndalur nga policia belge në mars të vitit 2017 duke ngarë makinën i pirë. Kontrollet për nivelin e alkoolit, natën pas ndeshjes Belgjikë-Greqi, evidentuan që 29-vjeçari e kishte tepruar me pijen.
Naingolan mohon, por tashmë verdikti është marrë dhe gjithashtu i është vendosur një gjobë prej 1600 eurosh. Tashmë mesfushori do të apelojë vendimin, sepse këmbëngul se nuk ishte ai që e ngiste makinën pas daljes nga një klub nate, por ishte shoku i tij Zinjo Çergui, një ish-futbollist profesionist. Zor se apeli do të ndryshojë vendim, gjithsesi, ndërkohë që Naingolan mund të ketë probleme edhe me Roberto Martinez, sepse trajneri i Belgjikës nuk mund të tolerojë pa fund lojëra të tilla.