I veçanti Munishi! Trajneri shqiptar për simulimet: Lojtari rrëzohet si qofte, ne rrimë dhe presim të çohet

Shumë kritika ka për arbitrimin në Kosovë nga trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi. Padyshim një trajner i veçantë në llojin e tij, pasi gjithmonë flet hapur dhe duke hedhur pjesën e “diplomacicë” tutje. Këtë herë është ndalur tek simulimet e lojtarëve, që ndonjëherë janë edhe të tepruara.

Munishi bën një krahasim me “Premier League”, duke thënë se te ne futbollistët bien si qofte në fushë, pas çdo kontakti, ndërsa pritet deri kur ata të çohen në këmbë.

“Në Premier League nuk jepen gjysmëfaullet në 20 minutat e fundit të ndeshjes, lejohet lojë më e ashpër sepse ngrihet ritmi dhe loja po shkon drejt fundit. Te ne ka raste kur loja bëhet si shfaqje baleti. Çdo kontakt dhe lojtari rrëzohet e rrotullohet si qofte, nuk çohet e ne e presim.

Te ne, në Ballkan, është rreptësishtë e ndaluar që të simulohet, është rreptësishtë e ndaluar që të zhvarritet loja. S’ka rëndësi a jemi duke fituar apo humbur, ne e kemi krijuar një standard të lojës”, tha Munishi në “T7” sipas asaj që raporton “Indeksionline”. /Sport Ekspres/