Vllaznia nuk ka arritur që të dalë me pikë maksimale në transfertën me Egnatian. Pavarësisht se pritej të shihnim gola në këtë takim, nisur nga cilësitë e lojtarëve në këto ekipe, në fund janë ndarë në barazimin pa gola.
Ndeshja mes Kastriotit dhe Tiranës u mbyll mes dramës 0-1. Në minutën e 100 të takimit pas shtesës prej 10 minutash pas shumë ndalesave të lojës, Nikqi shënoi me kokë në aksionin e fundit të Tiranës. Festa e madhe e bardhebluve dhe lojtarët e Kastriotit që u shtrinë në tokë si të kishin humbur një finale. Por vëmendjen në këtë takim e mori edhe kacafytja fizike e minutës së 78.
Cela ka dalë nga vetja duke kapur nga fyti Hasanin, për t’u ndëshkuar me të kuq. Në po të njëjtën ngjyrë ishte ndëshkimi edhe për Aleksin që u përfshi në turmën e madhe, megjithëse qëllimi i tij dukej për të ndarë futbollistët. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për Oversport:
Orges Shehi: “Ne ngulmuam deri në fund dhe shënuam. Ishte një ndeshje që kishte dëshirën për të fituar, që është e rëndësishme. Na vjen mirë që shënuam dhe e shoh si fitore të rëndësishme për rrugëtimin tonë. Situata e Aleksit ndodhi, i thashë Juxhinit nëse ishte i sigurt për kartonin e kuq që i dha dhe ai më tha: “PO”. Shkova të merrja Aleksin që të dilte nga fusha. Për mua kartoni ishte i padrejtë dhe po prisja të shqyrtohej nga VAR. Kishte një mos dakortësi mes arbitrit dhe anësorit. Nikqi? Disa veprime i ka bërë mirë sot, disa të tjera mund t’i bënte edhe më mirë. Nuk doja ta hiqja nga fusha dhe e shpërbleu besimin tim. Por dihet që të luash në sulm me Tiranën duhet kohë dhe nuk duhet t’i ushtrojmë presion.
Josa: “Po luanim ndaj një ekipi me pretendime. Ata kishin rastet e tyre. Të mos humbësh ndeshjen me një ekip si Egnatia është mirë, megjithëse ne nuk erdhëm për të marrë barazim këtu. Duhej të shërbenim më tepër për shokët e ekipit. Në momentin që shkonim në sulm duhej të kombinonim më mirë, të ishim më të shpejt në veprime se ishim shumë të lexuar. Kishim frikë edhe për humbjen, një ndeshje nuk është e sigurt që të rrezikosh me të gjitha mënyrat. Duhet ta shohim se kë kemi para, Egnatia mund të ndëshkojë në çdo moment, jam i kënaqur me barazimin”.