Në momentin kur Ferhan Hasani u prezantua te Partizanit, lojtari i ardhur me shumë bujë në kampionatin shqiptar u shpreh: “Kur në lajme qarkulluan zërat se do të shkoja te Tirana, Cuculi më tha që të mos shkoja atje”.
Përse erdhi kjo këshillë nga ana e Cuculit, që i devijoi në një farë mënyre rrugën Hasanit, që kërkohej me ngulm edhe nga bardheblutë? Arsyeja është shumë e thjeshtë dhe nuk lidhet me një urrejtje ndaj krahut tjetër të kryeqytetit, por për faktin se Cuculi ka qenë më parë pjesë e Partizanit. Në intervistën e dhënë për “Fax Sport”, mbrojtësi i Dritës ka thënë:
“Unë me Ferhani jemi shumë miq së bashku. Në konsultë e sipër me Ferhanin, unë i thashë se anoj më tepër te Partizani se kam luajtur aty, e di ngrohtësinë që ta jep klubi, tifozët dhe gjithë ambienti i kuq. Nuk është se kisha diçka kundër Tiranës. Ia dhashë këshillën Ferhanit vetëm për shkakun se isha vetë te Partizani. Duke u nisur nga eksperienca ime ia parashtrova këshillën, pasi e di sesi pritet lojtari i ri te Partizani.
Pastaj ndikuan edhe gjërat e tjera pasi ka disa miq atje, njihet me Pollazhanin. Ferhanin e ndiqte gjithmonë kampionatin shqiptar, ishte kurioz vazhdimisht edhe kur luaja unë aty. Megjithatë dua të them se ishte konshient dhe i vetëdijshëm se ku shkon”, u shpreh Cuculi. /Sport Ekspres/