I shënoi eurogol Anglisë në “Uembli”, Demollari flet pas shortit: Të provojmë kualifikimin, golin nuk e di përse ma anulluan

Një nga emrat më të njohur të futbollit shqiptar ka komentuar grupin në të cilin Shqipëria do të luftojë për kualifikueset e Botërorit të ardhshëm. Sulejman Demollari ka dhënë një intervistë për gazetaren Enxhi Biba në “Neës 24”, ku ka nënvijëzuar se kuqezinjtë do të kenë përballë ekipe me emër të madh. Por sipas tij Kombëtarja jonë ka shënuar rritje vitet e fundit duke krijuar një autoritet në fushën e lojës, për këtë arsye duhet të provojë për maksimumin.

Ndërkohë Anglia është një emër mjaft i njohur për ish-legjendën e Kombëtares shqiptare, teksa vite më parë i shënonte një eurogol në mitikun “Uembli”, që çuditërisht do të anullohej nga gjyqtari i ndeshjes. Demollari e rikujton si golin më të bukur të karrirës së tij, megjithëse edhe sot e kësaj dite nuk e di ende arsyen se përse nuk u quajt i vlefshëm nga arbitrat e atij takimi.

“Një short me ekipe me emër të madh. Por unë kam mendimin që pse jo edhe ekipi im kombëtar në një kompeticion të tillë, ka krijuar atë personalitetin dhe ta provojë që në çdo ndeshje të japi maksimumin dhe pse jo me fatin brenda mund të arrijnë atë rezultatin aty ku duhet. Është e vërtetë që Anglia, Polonia, Hungaria kanë një eksperiencë. Por edhe ekipi ynë Kombëtar në këto vite ka të bëjë me një grup që është rritur profesionalisht. Reja do të bëjë më të mirën e mundshme. Të provojmë për një kualifikim, por sukses do të jetë edhe një vend i dytë apo i tretë.

Goli i anuluar në Uembli? Do ngelet një gol nostalgjik dhe mbitë gjitha kur e rishoh është një ekzekutim dhe pjesë e teknikës së lojtarit. Ishte vërtetë një gol shumë i bukur. Por arsyen e anulimit akoma nuk e dimë. Megjithatë aty ishte një stadium gjigant, Uembli. Ishte një përfaqësim në atë kohë, me ato kushte që kishte Shqipëria, dinjitoz. Dhe më e bukura ishte ndeshja e parë e portierit Nallbani, që ishte në një moshë mjaft të re, 17 vjeç. Kështu që ai gol do të mbetet në karrierën time një nga golat më të bukur në karrierën time. Kur e shikon, edhe mënyra e ekzekutimit me shpinë nga porta ishte një element teknik i përsosur i një niveli të mirë.

Në këto vite Shqipëria dhe futbollistët tanë kanë bërë një progres. Kanë krijuar atë autoritetin dhe personalitetin si ekip. Nuk vijnë më me mendimin që në Shqipëri kalohet lehtë, por e marrin si një ekip që si brenda edhe në transfertë ka treguar që mund të marri rezultat.

Zhvillimi për herë të parë i Conference League ishte një ditë historike për futbollin, për imazhin e vendit, për punën mjaft të mirë të Federatës së Futbollit dhe të vlerësimit që i bënë edhe vetë investimeve të Federatës. Kështu që do mbetet në histori si finalja e parë e kupës më të re, Conference League”, ka deklaruar Sulejman Demollari./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *