E gjithë vëmendja e korçarëve deri në orët e vona të mbrëmjes ishte te mbrojtësi që dëmtoi gjurin dhe doli me barelë. Pas 3-4 ditësh rezonanca
Leonard Trebicka
Një moment delikat ai i fundit të ndeshjes së djeshme në Korçë. Në minutën e 88-të, Bajram Jashanica u shtri në fushë dhe të gjithë vrapuan pranë tij. Askush nuk e lëviz kosovarin nga fusha dhe mjeku Jorgo Pantazi me kujdes e ngjit në barelë dhe më pas në autoambulancë për të shkuar në spitalin e qytetit. Ortopedët e këtij spitali e vënë në vend gjurin mbrojtësit kosovar dhe tani pritet të mësohet se në çfarë shkallë është dëmtimi dhe sa kohë duhet që Jashanica të rikthehet. Lojtari dje ka kërkuar vetë të luajë dhe në një ndërhyrje në mesfushë këmba ka qenë e tendosur dhe ka dalë gjuri. Dje në mbrëmje ortopedët kanë deklaruar se Jashanica nuk mendohet të ketë ndonjë dëmtim të rëndë, pasi i kishte dalë vetëm patela. Por gjithçka do ta përcaktojë më qartë rezonanca. Gjuri i këmbës së djathtë është i ënjtur në këtë moment dhe duhet të kalojnë 3-4 ditë që të çenjtet dhe më pas Jashanica të shkojë në kryeqytet për të kryer rezonancën, që mban në ankth trajnerin Daja dhe gjithë pjesëtarët e tjerë të Skënderbeut. Lajmi që nuk bëhet fjalë për një dëmtim shumë të rëndë sikur i ka qetësuar pak korçarët. Tani të gjithë duhet të presin rezonancën, por e pakta Jashanica do të qëndrojë një muaj jashtë fushave. Kjo është e keqja më e vogël për një lojtar me kaq peshë te Skënderbeu.
AKTIVIZIMI – Pse Jashanica duhej në fushë në pjesën e dytë, kur kualifikimi ishte siguruar? Vangjeli po kalon një gjendje gripale dhe do të mungojë në ndeshjen me Kamzën. Në vend të tij dje ishte Dita, por mendohej që të dielën të luante Jashanica dhe për ta provuar si do të shkonte në këtë rol, lojtari është konsultuar me trajnerin Daja dhe ka kërkuar të luajë disa minuta. Një vendim që i ka kushtuar lojtarit. Lojtarët e tjerë, stafi drejtues, presidenti dhe tifozët urojnë që Jashanica të kthehet sa më parë.