Një ngjarje e çuditshme i ka ndodhur ish-lojtarit të Kukësit, Vasil Shkurtaj pasi dy menaxherë të ndryshëm kanë kontaktuar klube të interesuara për lojtarin pa dijeninë e tij si dhe duke i falsifikuar firmën. Lajmin e ka bërë të ditur sulmuesi 28 vjeçar në rrjetin social Facebook duke akuzuar haptazi këta menaxherë.
“Sot mora mandatin, të cilin e keni të bashkangjitur dhe siç mund ta shikoni është “hipotetikisht” i firmosur nga unë. Njerëz të rremë, me mandate të rremë përpiqen të përdorin emrin tim për qëllime personale. Të dy agjentët, Mechmedovic Esad dhe Florin Ruse janë raportuar nga agjensia ime e vërtetë e menaxhimit Sportfrong GmbH si dhe nga agjenti im drejt Federatës bullgare e asaj Rumune. Mandati nuk e ka as emrin tim të saktë, aq më pak edhe firmën time”- u shpreh i revoltuar Shkurtaj.
Për momentin Vasil Shkurtaj ka ngelur pa ekip pas largimit nga Kukësi, por është në kërkim të vazhdueshëm të një ekipi jashtë Shqipërisë që të përmbush objektivat e tij si profesionale ashtu dhe financiare. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/