Duke u nisur nga ndeshjet e zhvilluara në “Abissnet Superiore“ në pjesën e parë të emisionit “Botërori Katar 2022“ në “Ora TV“ është diskutuar mbi problematikat e futbollit shqiptar. Roland Çelmeta ka sjellë si shembull për t’u ndjekur klubin e Vorës. Ai shprehet se skuadra ka bërë investime mjaft serioze dhe kjo ka marrë si shpërblim edhe shtimin e tifozëve në shkallët e stadiumit të ri.
“I kam kërkuar në derbin e fundit një lojtari bluzën. Dhe ai më tha: “Nuk ta jap dot se i bie që ta paguaj unë“. Çfarë do ndryshoja po të isha president klubi? Po të marr një shembull me ekipin Vora, meqë e ndjek. Ka bërë një investim serioz. Po shikoj që akademinë e vetë, grupmoshat i ka pa pagesë. Shikoj që kanë investuar në uniformat e tyre, në infrastrukturën për të rritur këta sportistë. Shikoj një rregullsi pagesash në rrogat e tyre. Në dy ndeshjet që janë zhvilluar në stadiumin e ri ka një masivizim të popullsisë, edhe nga Tirana, që vijnë fëmijë, gra, goca, burra. Ky është një shembull. Këto janë shembujt realë”, ka thënë Roland Çelmeta./Halit Delibashi-Sport Ekspres/