Elseid Hysaj ka folur për “Lazio Style Channel” në lidhje me duelin e radhës së skuadrës bardhekaltër. Lazio do të përballet me Interin në fundjavë, në një ndeshje mjaft të rëndësishme për objektivat e të dy klubeve. Hysaj është i mendimit se sfida përballë zikaltërve do të jetë e veçantë për t’u luajtur, por nga ana tjetër heq presionin nga skuadra e tij dhe thekson se një humbje nuk do i rrëzonte nga morali dhe nga renditja.
“Patjetër që asgjë nuk është ndalur, sepse është Interi dhe do të jetë një ndeshje mjaft e bukur, e mrekullueshme për të luajtur. Nuk mendoj se një ndeshje si kjo mund të na rrëzojë apo të na zhgënjejë, sepse ne kemi treguar cilësitë tona në gjithë këta muaj dhe nuk mund t’i hedhim ato vetëm për një ndeshje. Përplasje direkte? Mendoj se kanë mbetur edhe tetë ndeshje dhe janë shumë, ka shumë pikë. Nëse bëjmë llogaritë, tetë ndeshje më parë ne ishim poshtë dhe tani jemi të dytët. Gjithmonë duhet të jesh i kujdesshëm, ndeshje pas ndeshje, deri në fund, sepse gjithmonë ka tre pikë dhe ka ende tetë ndeshje për të luajtur”, ka thënë Elseid Hysaj./Halit Delibashi-Sport Ekspres/