Emanuela Rusta ka shënuar një tjetër arritje në futbollin shqiptar. Ajo është arbitrja e parë femër që drejton si kryesore një ndeshje të kategorisë “Abissnet Superiore”, më konkretisht sfidën Skënderbeu-Laçi të vlefshme për javën e 34-t të kampionatit. Paraqitja e saj ka qenë mjaft pozitive duke u shfaqur në lartësinë e duhur dhe duke marrë vlerësimet më të mira për punën e saj.
Tre vite më parë ajo u bë arbitrja e parë femër nga Shqipëria me stemën e FIFA-s, duke thyer kështu barrierat dhe duke përfaqësuar denjësisht futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Në një intervistë dhënë për Fshf.org, Emanuela rrëfen eksperiencën e saj unike në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar. Gjithashtu, Rusta flet edhe për objektivat në të ardhmen, ndërsa ka edhe një mesazh për të gjitha vajzat që duan të bëhen pjesë e arbitrimit në futbolli.
Këtë fundjavë ke gjykuar për herë të parë një ndeshje të kategorisë “Abissnet Superiore”, duke shënuar një moment historik për futbollin shqiptar. Si ndihesh që je arbitrja e parë femër që arrin të drejtosh një ndeshje në nivelin më të lartë të futbollit shqiptar?
Nuk do ta lidhja shumë me veten si Emanuela, aq sa do ta lidhja me besimin e dhënë kohë pas kohe për të arritur në këtë nivel. Do të tregohesha e pavërtetë nëse nuk do ta pranoja se ishte një eksperiencë fantastike, për të cilën kam punuar gjatë dhe e kam dëshiruar prej kohësh. “Abissnet Superiore” është një kategori me një nivel tepër të lartë teknik dhe taktik, çka imponon një përgatitje serioze për ta përballuar.
Si e përjetove këtë eksperiencë të re? A je e kënaqur me paraqitjen tënde në ndeshjen Skënderbeu-Laçi?
Sikurse u shpreha më sipër, nuk mund të mos e pranoj se ishte një eksperiencë nga ato që do ta mbaj mend gjatë. Është një stad i ri për karrierën time tanimë. Mendoj se në tërësinë e saj paraqitja ime ishte e kënaqshme. Gjithsesi, kam nxjerrë konkluzionet e mija mbi atë se çfarë dhe ku mund të bëja më mirë. Është një nivel i cili të lejon të shprehesh dhe përmirësohesh ndeshje pas ndeshje. Edhe ekipet kishin një qasje profesionale, pa me paragjykuar mbi mundësitë e mia për ta përballuar ndeshjen. Loja e zhvilluar ishte fair-play e në këtë kuptim ekipet ma bënë më të lehtë.
E ndjen se ka ardhur momenti që arbitret femra të jenë më shpesh të pranishme në ndeshje të nivelit të lartë?
Prezenca e arbitreve femra në ndeshje të këtij niveli ka qenë e vazhdueshme, qoftë në cilësinë e asistentit apo arbitrit. Mendoj se profesionalizimi nuk lidhet me konsiderata të karakterit gjinor. Ka mjaft raste frymëzuese në kampionatet e huaja, të cilat kanë arbitruar edhe finale të Champions League. Nga ana e saj, Shoqata e Arbitrave gjithnjë ka pasur në fokus të saj promovimin e femrave, ndaj kjo nuk është as rastësi dhe as fundi i procesit. Shpresoj se nuk do të jetë e largët dita kur të jemi katër femra që gjykojmë një ndeshje të “Abissnet Superiore”.
Pas kësaj arritjeje, cili është objektivi yt i ardhshëm sa i përket arbitrimit? Çfarë synimesh i ke vënë vetes?
Parapëlqej që objektivat t’i kem të mundshëm e të realizueshëm. Do të vazhdoj të punoj po me të njëjtën dëshirë dhe insistim për të qenë pjesë e përjavshme e kategorisë “Abissnet Superiore”. Për rrjedhojë kjo eksperiencë gjykoj se do të më ndihmojë të performoj akoma më mirë edhe në ndeshjet ndërkombëtare. Të jem e sinqertë, objektivi i radhës dhe dëshira është të jem femra e parë që do të gjykojë një ndeshje derbi.
A keni një mesazh për të gjitha arbitret femra apo për vajzat që synojnë të bëhen pjesë e arbitrimit të futbollit?
Do t’i ftoja të mos hezitojnë. Ta vlerësojnë si mundësi për të zhvilluar një karrierë ndryshe nga sa mund të jetë diçka më e zakonshme. Megjithëse, në dukje është një ambient kryesisht mashkullor, ndihem e respektuar dhe e vlerësuar për punën që bëj në fushë. Për sa kohë e konsideron si një marrëdhënie profesionale, je korrekte, objektive dhe e përkushtuar, ndihma nuk mungon qoftë nga kolegët meshkuj apo nga shoqata e dizenjatori i arbitrave.