“Hyr, se përndryshe…”/ Klose refuzonte të futej në fushë, Reja tregon incidentin me ish-sulmuesin gjerman

Edoardo Reja është një nga trajnerët më me eksperiencë në Itali. Gjatë karrierës së rij kreu i pankinës së Kombëtares shqiptare ka marrë nën drejtim një sërë skuadrash, ku përfshihet edhe Lazio, në stolin e së cilës është ulur dy herë. Në lidhje me këtë eksperiencë në kryeqytet me bardhekaltrit, Reja ka ndarë me të gjithë një incident me një nga sulmuesit më të njohur, Miroslav Klose. Ky i fundit ka pasur një karrirë të ndritur në kohën kur ka qenë aktiv në futboll, por me sa duket krenarinë e ka mbajtur deri në fund të karrierës së tij.

Për këtë arsye Reja zbulon se ish-sulmuesi gjerman refuzoi të hynte në fushë në një kohë kur kishin mbetur edhe dy minuta për t’u luajtur. Një luftë e ftohtë shikimesh u shkëmbye mes tyre, megjithëse në fund trajneri i Shqiprisë e fitoi sfidën, duke bërë që Klose t’i bindej dhe të hynte në fushën e lojës.

“Një herë Klose po më shihte keq, nuk donte të futej në fushë. Kishin mbetur edhe 2 minuta nga fundi dhe unë doja t’i jepja frymëmarrje partnerit të tij, i cili i kishte shterur fuqitë. Ai më pa sikur donte të më thoshte: ”Unë nuk do të hyj për 2 minuta”. Më pas unë e vështova me një shikim si t’i thoja: “Hyr, përndryshe…”. Padyshim që më pas u fut në fushë”, ka thënë Reja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/