Laçi është një “Deja Vu” me trajnerin Vukicevic. Ashtu si edhe një vit më parë, kurbinasit janë duke u endur në vendet e fundit të tabelës për shkakun e nisje skandaloze të sezonit. Këtë herë është humbur në shtëpi me shifrat 0-1 ndaj Bylisit. Thuajse në të njëjtën situatë, Vukicevic do të jepte dorëheqjen nga stoli te Laçi në sezonin e shkuar.
Drejtuesit menduan ri sjelljen e tij, e cila nuk po rezulton ashtu siç pritej. Ndeshja e sotme me Bylisin ishte e barabartë me dy ekipet që kishin shanset e tyre për të shënuar. Goli i vetëm i takimit erdhi nga kapiteni Trumci që realizoi me një goditje fantastike nga distanca, ndoshta më të bukurin e parë në Superiore për këtë edicion. Pas kësaj fitore, ekipi i Bellait shkon në vendin e dytë të Superiore pas Partizanit. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Oversport”:
Vukicevic: “Është ndeshja e tretë radhazi që ne mundemi me rezultat minimal, në mënyrë tërësisht të pashpjegueshme. Kemi pasur shumë pak mundësi për të shënuar një gol. Për një gabim tonin e pësuam golin dhe kështu shkoi ndeshja. Jam shumë i shqetësuar për faktin se nuk po shënojmë, as në Europë nuk mundëm dot. Kemi humbur shumë me dëmtimin e Ujkës në mesfushë.
Bellai: “Dua të përgëzoj çunat pasi të gjitha ato që kemi punuar në stërvitje, i nxorrëm në fushë. Përveç 10 minutave pas golit të shënuar që nuk ishim atje ku duhet. Kishim pak fat në dy momente kur Laci mund të shënonte. Duhet edhe fati në futboll. Jemi në Laç dhe Kisha e Laçit na ndihmoi. Ne punojmë që ta kemi ne topin në këmbë gjatë gjithë kohës. Kështu lodhet kundërshtari pasi vrapon dhe na ndjek ne. Këta djem janë të rinjë, kanë uri, janë kokëulur dhe punojnë nga e hëna në të dielë”.