Ish-arbitri i FIFA-s, Sazan Velçani është ndarë nga jeta, duke mos e fituar dot betejën me sëmundjen e rëndë me të cilën po luftonte. Ish-gjyqtari shqiptar ka lënë pas një karrirë të gjatë dhe të suksesshme, duke dhënë kontributin e tij në sportin e futbollit.
Ndarja e tij nga jeta ka prekur jo pak njerëz të botës së sportit, të cilët kanë shprehur ngushëllimet dhe keqardhjen e tyre për këtë lajm të trishtë. Armand Duka, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka ndarë ngushëllimet e tij për familjarët e Velçanit, teksa në një postim në “Facebook” kujton me trishtim kontributin e dhënë nga ish-arbitri shqiptar.
“Ndihem i trishtuar për lajmin e ndarjes së parakohshme nga jeta të ish-gjyqtarit të FIFA-s, Sazan Velçani. Ai ka patur një karrierë të gjatë dhe ka qenë një nga gjyqtarët më të vlerësuar të futbollit shqiptar, duke dhënë kontributin e tij për shumë vite me radhë në fushën e lojës dhe për arbitrimin.
Velçani nuk ia doli dot të fitonte betejën e tij me sëmundjen e rëndë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në Itali, atje ku ndodhej i shtruar prej kohësh në spital.
Dëshiroj t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, bashkëshortes dhe tre fëmijëve, miqve të tij, por edhe komunitetit të gjyqtarëve për këtë humbje të madhe. U prehtë në paqe!”, shkruan Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/