Holanda në “ferr”, Greqia “djeg” Bosnje-Hercegovinën

Vazhdojnë të qartësohen gjërat në garën e kualifikueseve të Kupës së Botës në zonën e Europës.

Franca ka fituar 1-0 në Bullgari me një gol nga mesfushori Matudi dhe ka mbrojtur kreun në grupin A, ndaj tashmë 3 pikë me Bjellorusinë e çojnë në Botëror, të martën.

Ndërkaq, Suedia do të shkojë në play-off, nëse Franca fiton të martën. Skandinavët masakruan 8-0 sot Luksemburgun, duke mbajtur 3 pikë larg Holandën, por tashmë me një golaverazh 12+, që do të thotë se të martën në Holandë do të duhet fitore 6-0 për “Tulipanët” për të realizuar mrekullinë. E pamundur!

Në grupin B asnjë surprizë: Zvicra hoqi qafe pa probleme 5-2 Hungarinë (goli i parë nga Granit Xhaka) dhe Portugalia fitoi 2-0 në Andorrë, me gola nga Ronaldo e Andre Silva në pjesën e dytë. Të martën në Portugali luhen finalja: Zvicra me një barazim shkon në Kupën e Botës.

Në grupin H e ka pësuar keq Bosnje-Hercegovina, tashmë e eliminuar. Humbja 4-3 në shtëpi ndaj Belgjikës së kualifikuar e ka zbritur në vendin e tretë, sepse Greqia fitoi pa u lodhur fare, 2-1 në Qipro, në një ndeshje miqësore. Për pasojë, Greqia kalon e dyta në grup dhe në fund pret Gjibraltarin, ndaj është e sigurt në vendin e dytë dhe për të shkuar mnë play-off shpreson që të gabojë ndonjë nga të dytat e tjera, si Skocia, Kroacia, Uellsi apo Irlanda e Veriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *