Federata Holandeze e Futbollit ka zyrtarizuar sot trajnerin e ri të kombëtares, duke ia besuar detyrën e rëndësishme një emri legjendar si Ronald Kuman.
Ish-trajneri i Evertonit dhe Sauthemptonit vitet e fundit ka firmosur për 4 vite, duke zëne vendin e lënë bosh nga Dik Advokat, i cili la drejtimin e kombëtares vitin e shkuar, pas dështimit për të siguruar një biletë për në Kupën e Botës 2018.
Kuman u pushua nga puna tek Evertoni në tetor të vitit të shkuar, pas një starti mediokër të sezonit edhe pse në verë klubi nga Liverpuli shpenzoi jo pak në merkato. Një sezon më parë Kuman kishte ngjitur në vendin e gjashtë final Sauthemptonin, ku drejtoi për dy sezone.
Karriera e Kumanit si trajner është mjaft e pasur, sepse ka drejtuar edhe Vitesen, Ajaksin, Benfikën, PSV-në, Valencian, AZ Alkmarin dhe Feje ordiner, përveçse ka qenë ndihmëstrajner të Barcelona dhe Holanda.
Si futbollist, Kuman ka luajtur 78 ndeshje me Holandën, duke fituar edhe Euro 1988, por kombëtarja e Tulipanëve është shumë larg lavdisë së shkuar, sepse nuk ka mundur të kualifikohet për në Euro 2016 dhe Botërorin 2018.