Gjergji Stefa
Nuk është pa gjë, por diçka i mungon. Shumë i vogël, nuk di të shënojë. Njësoj si takim me prindër, kur mësuesi indiferent e sheh prindin në sy dhe i thotë: është i zgjuar, por nuk mëson. Nuk ka për t’u bërë një student i mirë.
I ati i Kristal Abazajt ka qenë prej vitesh shef komisariati policie dhe dorëzimi nuk është në fjalorin e tij. Partizani dhe Dinamo i kishin thënë ‘jo’, Elbasani i tha: le të vijë, po lekë nuk ka. Në Elbasan me të luante Diego Nora, i afërm i shefi të klubit të Luftëtarit, Gentian Nora. “Eja shihe një ndeshje, më të shpejtë se ky nuk kam parë”. Abazaj atë ditë ngjante si Kristiano Ronaldo. Shkelmat nuk e frikësonin, si i thonë fjalës “i mori të gjithë zvarrë”. Nora e takoi pas ndeshjes dhe i tha: “Eja te Luftëtari, ti një ditë do shitesh më shumë se 500 mijë euro”. Kristali qeshi: “Nëse ndodh kjo, do të të bëj dhuratë një qen pastor dhe dritat e akademisë së Gjiroakstrës”. Bast i kryer, u tha u bë. I ati kishte punuar për disa vite në Gjirokastër dhe zbarkoi në qytetin e gurtë me djalin me vete. Nora u ndje i fyer, klubi nuk e done Abazajn. “Nëse do, qëndro një javë këtu për provë, por duhet t’i paguash paratë vetë”. Kristali zuri një hotel me 15 mijë lekë dita, bleu një palë këpucë dhe me kokën ulur vraponte i 22-ti në fushë. “Nesër vjen Milinkoviç, ai është trajner i huaj, ndoshta të pëlqen”. Kishte 4 vite që vetëm provohej. “Nëse as këtu nuk bëhet do ta lë fare”.
Milinkoviçit i mjaftuan vetëm 15 minuta. “Ç’është ky, Nora, nga e keni gjetur këtë?”. “Diego – tha Nora – Diego. Ai m’u lut që ta merrnim”. “Direkt një kontratë. Nëse e lini të ikë, do t’i bini kokës me grushte”. Në klub nuk e pritën mirë. Ata i kishin ofruar Milinkoviçit 5 talente. Abazaj nuk ishte asnjëri prej tyre.
1 milion lekë të vjetra rrogë dhe 3 vite kontratë. Abazaj nuk lexoi asgjë çfarë nënshkroi. Por kujdes, formacionin s’ta garanton askush. “Mund të vazhdoj të qëndroj në hotel”, mendoi Kristali, ndërsa i ati u kthye në shtëpi dhe takoi bashkëshorten. “Ja dolëm. Djali firmosi kontratën e parë”.
Që nga ajo pasdite, djali i artë i futbollit shqiptar nuk ka nevojë për prezantim. Menjëherë sapo pozoi me fanellën e Anderlehtit i dërgoi sms Norës: ‘pastorin e ke gati, dritat po vijnë’. Nxënësi që nuk ishte pa gjë, u bë student më i mirë i vendit. I ati u kthye sërish në shtëpi dhe mendoi: “Ia dola! Djali im u bë dikushi!”.
te lumte…!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!