Nedim Bajrami është risia e listës së Rejës për këto ndeshje të muajit mars. Talenti shqiptar cilësohej si një nga thesaret e Zvicrës, por në fund dëgjoi zemrën dhe la helvetët për tu veshur kuqezi. Por pavarësisht se gjendet nën urdhërat e Edi Rejës prej disa ditësh, një “deja vu” i ndodh Shqipërisë. E njëjta histori që përsëritet.
Burokracitë i zvarrisin debutimin me fanellën e ekipit tonë kombëtar. Njëjtë sikur në nëntorin e vitit 2019, atëherë kur Florian Kamberi pritej të luante ndeshjen e tij të parë me Kombëtaren. Një debutim ky që ende nuk ka mbërritur. Dikur Zvicra do të luante lojëra dhe leja për sulmuesin shqiptar do të vononte, duke bërë që të humbte ndeshjet e para me kuqezinjtë. Po e njëjta gjë është duke i ndodhur edhe Nedim Bajramit.
FIFA ende nuk e ka plotësuar dokumentacionin që mesfushori i talentuar të përfaqësojë Shqipërinë dhe ngjasat janë që të humbë edhe duelin aq shumë të pritur me Anglinë. Kujtimet e rastit të Kamberit janë ende të freskëta për Edi Rejën dhe frika për një përsëritje të tij është prezente. Një mëkat që burokracitë zvarrisin ëndrrën e madhe për debutim./Halit Delibashi-Sport Ekspres/