Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri mund të pezullohen me dy ndeshje, pasi FIFA ka hapur hetim dhe do të vendosë nëse festimi i tyre me shqiponjë pas golave kundër Serbisë përbën provokim ndaj publikut dhe nëse simboli i tyre ka përmbajtje politike e nacionaliste, siç pretendojnë serbët.
Mendohet se FIFA do të thërrasë për të dëshmuar edhe ekspertë ndërkombëtarë, për të shpjeguar kuptimin e festimit të futbllistëve shqiptarë.
Vetë Xhaka e Shaqiri e kanë quajtur thjesht shprehje të emocioneve, pa pasur fare në mendje provokimin ndaj tifozerisë serbe.
Ndërkaq, sot ka reaguar edhe presidenti i Federatës Shqiptarë te Futbollit, Armand Duka, i cili ka përdorur fjalë të ashpra për ata që kërkojnë dënimin e Xhakës dhe Shaqirit, duke e quajtur kërkesën si “qesharake” dhe “primitive”.
“Futbolli është një lojë që ka emocione të forta dhe të bukura. Në çdo ndeshje të Botërorit shikon mënyra të ndryshme të festimit të golave. Edhe Xhaka e Shaqiri festuan në mënyrën e tyre golat e shënuar. Simboli i Shqiponjës nuk është aspak një simbol i ndaluar në asnjë vend të Botës. Nuk është simbol lufte, urrejtjeje dhe diskriminimi. Kërkesa për investigim në FIFA për mënyrën e festimit të Xhakës dhe Shaqirit është, sa qesharake aq edhe primitive.
Simboli i Shqiponjës në Flamurin tonë kombëtar nuk ka pse të shqetësojë askënd”, shkruhet në deklaratën e Dukës, i cili natyrisht nuk mund të qëndronte pasiv në një çështje ku po flet gjithkush në Serbi, nga Federata Serbe deri te krerët e shtetit.