Partizani ka mposhtur Bylisin me rezultatin 2-1 në ndeshjen e fundit të javës së 30 të “Abissnet Superiore”-s. Të kuqtë ruajnë distancën prej pesë pikësh me Tiranën, duke mbajtur gjallë shpresat për titullin kampion. Rrapaj zhbllokoi ndeshjen për kryeqytetasit, ndërsa Eskerdinja barazoi përkohëshisht në pjesën e parë. Më pas, ishte Da Silva ai që në minutën e 55 i dha fitoren Partizanit pas një ekzekutimi të saktë të 11 metërshit. Pas përfundimit të ndeshjes protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Ti Bo Gol” në “Oversport”.
Kolela (Partizani): “I kujtoj të gjithëve që jemi 5 pikë larg kryesuesëve kur kanë mbetur edhe 6 javë nga fundi i kampionatit. Pak a shumë mendoj që nuk kemi qenë perfekt sot. Nuk jam 100% i kënaqur me lojën, por jam i kënaqur. E vetmja gjë që mund të ndryshoj, është që Tirana të humbasi një pikë. Por këtë duhet t’ja kërkoni atyre, jo ne. Ata që janë aktivizuar kanë bërë mirë, por nuk kanë bërë keq as në ndeshjen e kaluar. Skuadra vrapon në çdo ndeshje, kjo është më e rëndësishmja. Ndoshta në ndeshjen e ardhshme që do të luhet në transfertë, do të marrim me vete VAR-in tonë. Mendoj që në ndeshjet që ne luajmë në shtëpi, VAR-i funksionon shumë mirë. Sa herë që luajmë në transfertë nuk ndodh e njëjta gjë. Ndoshta herën tjetër do të marrim edhe VAR-in me vete në autobus. E përsëris që Bylisi është një nga skuadrat e kampionatit shqiptar që luan më mirë futboll. Bylisi nuk e meriton të zbresë nga kategoria”.
Shensoi (Bylisi): “Nuk jam që prej 10 vitesh në Shqipëri. Nuk e di çfarë ka ndodhur më herët me Partizanin. Edhe para meje, dy humbje ka pasur Bylisi. Por me mua, herën e kaluar ishte një ndeshje për kritikë. Në emër të futbollit, nuk bëmë asgjë në ndeshjen e parë. I pranoj kritikat. Por tani po tregojmë që jemi në formë. Kundër Vllaznisë dhe Tiranës ishim shumë afër fitores. U përpoqëm që të përmirësojmë traditën e keqe që kemi me Partizanin. Kemi mundur t’i bënim edhe një gol Partizanit. Nuk u përshtatëm mirë me fushën sintetike, na u dëmtua një lojtar. M’u ankuan për fushën. Vendosi VAR-i. Edhe për penalltinë e parë, ishte e dyshimtë. Me atë që dhamë pjesën e parë meritonim ta thyenim traditën, të paktën të merrnim një pikë. Në pjesën e parë luajtëm mirë. S’kam çfarë bëj më tepër kundër Partizanit. Goditëm shtyllën, shënuam gol, patëm raste për të shënuar. Në pjesën e dytë m’u ankuan lojtarët për fushën”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/