Skuadra londineze kthehet në vend të katërt, ndërsa për trajnerin është një çlirim i vogël. Belgu është kthyer në nivelet e tij
Ndoshta ka qenë prania e tre ish-yjeve si Xhanluka Viali, Xhanfranko Zola dhe Tore Andre Flo, ndoshta thjesht fakti se kishte ardhur dita e kthesës, por më në fund Çelsi i Antonio Kontes kthehet të fitojë dhe e bën me një rezultat bindës 3-0, edhe pse deri në minutën e 63-të gjithçka ka qenë ende në ajër, pasi goli i shënuar nga Hazard pas 25 minutash ka bërë që miqtë të kishin mundësi të reagonin.
Më pas, belgu është kthyer magjik, teksa Mozes ka realizuar në të 63-të. Pikërisht Hazard ka trefishuar në të 71-n, duke shuar kështu shpresat e skuadrës mike të Uest Bromit, që megjithatë e nisi me handikap pasi Starrixh u dëmtua që pas vetëm 4 minutash.
Shumë pak kanë bërë miqtë për të vënë në rrezik londinezët, teksa për Antonio Konten ka pak qetësi, duke qenë se ai ishte në stuhi dhe flitet se në fund të sezonit do të lërë pankinën, për të shkuar tjetërkund. Në fakt, ky sukses vetëm sa largon pak zërat, por jo sepse e ardhmja e italianit nuk është shkruar.
Një mbrëmje për t’u nënvizuar ka qenë ajo e Hazardit, që është kthyer në nivelet e tij, edhe pse gjatë sezonit nuk është se ka lënë shumë gjurmë. Me këtë sukes, blutë marrin vendin e katërt, duke kapërcyer kështu Totenhamin, që fitoi ndaj Arsenalit vetëm pak ditë më parë.