Harrojini të gjitha! Ahmataj ndryshon kurs: Nuk ka ndërhyrje te Tirana, kërkoj ndjesë!
Kur të gjithë po e vlerësonin Ahmataj për sinqeritetin e madh dhe guximin e treguar kur vetëm pas 4 ndeshjesh reagoi ashpër për mënyrën sesi funksiononin gjërat te Tirana, ka ardhur një ndryshim rrenjësor në qendrim. Vetë trajneri është shprehur se do të vazhdojë të jetë pjesë e bardhebluve, duke fshirë të gjitha fjalët e thëna.
Në po të njëjtin television, “Supersport”, ku pavarësisht këshillave që i vinin nga gazetarët që të qetësohej dhe të mos fliste fjalë të nxituara, Ahmataj përgjigjej: “Ky është ambienti këtu, nuk jam fare i nxehur. E prisja të ishte e vështirë, por jo kaq keq”. Ndërsa në intervistën sot në mbrëmje, ka një tjetër qendrim:
“I kërkoj ndjesë gjithë tifozëve të Tiranës pasi duhet të isha më i frenuar te deklarata ime. Unë nuk dua vetëm që të mbaj vendin tim të punës, por për të bërë diçka ndryshe. Ato që unë thashë nuk duhej të dilnin në media. Kërkova dorëheqjen, por më thanë që të vazhdoj. Unë nuk dorëzohem, por ndonjëherë duhet t’i shkundim për t’i përmirësuar. Nuk kam fajësuar asnjëherë lojtarët, madje përgjegjësinë duhet ta marrim ne drejtuesit. Ndërhyrje nuk ka në ekipin e Tiranës dhe kur nuk jam shprehur për njerëz që duhet të lënë ekipin”, ka thënë Ahmataj. /Sport Ekspres/