“Gardiani” i Interit i thur elozhe kundërshtarit të tij: Derbi? Do të jetë një përballje e jashtëzakonshme, jemi gati ta fitojmë
“Derbi është një ndeshje që përgatitet vetë. Është një kënaqësi të zbresësh në fushë. Të ishte për mua, do të luaja gjithmonë ndeshje të tilla”. Samir Handanoviç nuk është nga ata që flet shumë, por gjatë një lidhje të drejtpërdrejtë në “Facebook” i është përgjigjur pyetjeve të tifozëve të Inter. Portieri slloven vendos gjithmonë skuadrën para lojtarëve individualë: “Shpresojmë që gjithë ekipi të bëjë diferencën të dielën”.
DERBI – Numri 1 i zikaltërve është portieri që ka pësuar më pak gola në shtatë javët e para të kampionatit italian dhe ka komentuar ecurinë e ekipit të tij në këtë fillim sezoni: “Stafi po punon në një mënyrë të ndryshme me repartin mbrojtës. Gjithë skuadra duhet të japë kontributin e saj, por mund të përmirësohet akoma”. Më pas, Handanoviç ka kujtuar pritjen e tij më të rëndësishme kundër Milanit: “E kam bërë ndaj De Jong në minutën e 93-të, e dërgova topin në goditje nga këndi. Ndoshta për shumë të tjerë nuk është aq e rëndësishme, por për mua po”.
XHIXHO – Handanoviç nuk ka patur dyshime kur është pyetur nga një tifoz se cili është portieri më premtues në Itali: “Është e lehtë, Donaruma. Jemi përballur më parë në derbi”. Ajo e së dielës do të jetë një sfidë e vërtetë në distancë mes dy portierëve më të fortë të kampionatit italian.