Presidenti i bardhebluve kalon me batutë fundin e ndeshjes me Tomorin. Ze Maria mendon për ndryshimet në formacion ndaj Kukësit
Olsi Avdiaj
Tirana vazhdon marshimin e saj drejt Superiores. Një fakt të tillë, e ka pranuar edhe vet presidenti i Tiranës, Refik Halili. Edhe pse ka shumë kohë që nuk flet për mediat, pas ndeshjes me Tomorin, numri një i bardhebluve ka lëshuar një batutë teksa dilte nga Selman Stërmasi. “Skuadra është mirë dhe po heqim ndeshjet e mbetura të Kategorisë së Parë . Ja, mezi po presim të kthehemi në Superiore”, ka lëshuar batutën Halili, teksa ka lënë të kuptohet se bardheblutë mezi presin të luajnë me të mirët. Në fakt, skuadra bardheblu prej kohësh është duke fituar çdo ndeshje në Kategorinë e Parë. Presidenti Refik Halili ka investuar jo pak këtë janar, duke afruar për 2018-ën, disa lojtarë në skuadër. Bardheblutë, gjithashtu kërkojnë që të përmbysin rezultatin në ndeshjen e së mërkurës kundër Kukësit. Tirana shpreson, që me afrimet e Mugunës, Muhamedit, por edhe lojtarë të tjerë, skuadra mund të përsëritë sërish finalen e Kupës së Shqipëri, që ekipi arriti sezonin e shkuar.