Gurin e tundon Europa, Kukësin milionat aziatike

Kampionët kanë në dorë një ofertë të majme për shkodranin, por një transfertë në Korenë e Jugut do bënte që Guri të mos ishte shumë në fokusin e skuadrave europiane

Sindrit Guri dhe Kukësi mund t’i ndajnë rrugët para se të mbërrijë vera, pasi në derën e kuksianëve ka trokitur një ofertë mjaft e majme, që në dukje është e parezistueshme. Gjithsesi duhet pritur derisa gjërat të jenë konkrete për të vijuar në hapat e mëtejshëm, por e sigurt është që Kukësi në gjirin e saj ka një “xhevahir”, që mund t’u sigurojë mijëra euro. 24-vjeçari ka marrë rolin e liderit te Kukësi, por nëse ai largohet, Kukësi mund të humbasë nga ana sportive, pasi do të humbiste sulmuesin e vetëm polivalent, por në të njëjtën kohë do të fitonte një “thes” me para. Kukësi në këtë mes vështirë se do i thoshte jo një oferte prej 400-500 mijë eurosh nga skuadra e Ganguon FC, por në këtë mes duhet gjetur konsensusi me të gjitha palët. Lojtari vetë do të përfitonte një kontratë të majme pasi në Korenë e Jugut sa i përket financave gjithçka është e sigurt, megjithatë vetë ai duket se ende nuk e ka ndarë mendjen.

LOJTARI

Sindrit Guri me shumë gjasa do të takohet sot me drejtuesit e Kukësit, për të diskutuar në lidhje me ofertën që ka ardhur nga Koreja e Jugut. Objektivat e lojtarit kanë qenë për t’u transferuar në një skuadër europiane, çka është një objektiv i qartë i shkodranit edhe sot, diçka që konfirmohet dhe nga burime pranë lojtarit. Me Kukësin që me shumë mundësi do ishte i kënaqur, edhe lojtari mund të bindet nga një kontratë e mirë, por në krahun tjetër po të njëjtat burime pranë lojtarit bëjnë me dije se vetë Guri mendon dhe për të ardhmen e largët, pasi nëse do të transferohet në Korenë e Jugut do të ishte larg syve të Europës. Gjithsesi, pasi palët të ulen, do të ketë dhe diçka konkrete. Në kushte të tilla lojtari vetë dhe menaxheri i tij si dhe Kukësi po punojnë për të gjetur mundësinë më të mirë të mundshme. Aktualisht Guri është lojtari me më shumë minuta te Kukësi, si dhe ka arritur që të shënojë 11 gola.

Nëse do të konkretizohet kalimi në Korenë e Jugut, do të ishte në hapat e Sokol Cikalleshit, i cili gjithashtu ka pasur një eksperiencë në këtë vend, por për fatin e tij të keq pati një dëmtim që e la jashtë fushave të lojës. Guri do të vendosë gjithçka pasi të flasë me klubin, pasi zgjedhja do të jetë e përbashkët, por koha në dispozicion është e vogël, sepse merkato në Korenë e Jugut është e hapur deri në 29 mars. Kampionati atje ka filluar dhe për skuadrën e Ganguon FC do ishte mirë që transferimi të kryhej sa më parë. Mbetet për t’u parë, por nëse shifrat do të jenë reale atëherë duket se ky transferim do të ishte dhe qershia mbi tortë për Kukësin, që vetëm me Gurin dhe Bakajn do të arkëtonte mbi gjysmë milioni euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *