Sindrit Guri është pa diskutim një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kukësit. Shkodrani këtë edicion ka bërë mjaft mirë dhe është lojtari që ka luajtur më shumë minuta se të gjithë te kampionët. Edhe në përballjen me Lushnjen shënoi golin e dytë. Pas ndeshjes, sulmuesit foli për ndeshjen, por dhe largimin e Bakajt, duke treguar se tashmë i takon atij që të marrë më shumë përgjegjësi.
“Me thënë të drejtën, mundohem të shënoj sa më shumë për ekipin tim, që të marrim sa më tepër rezultate pozitive. Me largimin e Bakajt më bie më tepër përgjegjësi për sulmin. Duhet të marr më shumë përsipër për pjesën e sulmit të ekipit tonë. Shpresoj të vazhdoj kështu të shënoj gola si Lushnjës dhe çdo ekipi tjetër. Do të mundohem të jap më të mirën për ekipin dhe të bëj gjithnjë maksimumin”, deklaroi Sindrit Guri.