Shqipëria në futboll për femra do të luajë të martën e ardhshme (20.30, Paisley) ndeshjen e tretë kualifikuese në fazën e grupeve drejt Kupës së Botës Francë 2019.
Në dy ndeshjet e para Shqipëria e drejtuar nga Armir Grima është mundur 4-1 nga Zvicra dhe 1-0 në Bjellorusi, duke mbetur e fundit në grupin B, ku kryeson Zvicra me 6 pikë në dy ndeshje.
Tani Shqipëria përballet me një rival që gjithashtu ka zero pikë, por në realitet Skocia është ende një mister, sepse nuk ka luajtur asnjë ndeshje kualifikuese. Megjithatë, Skocia mori pjesë në Kampionatit Europian këtë verë dhe kaq mjafton për të kuptuar që ka një skuadër mjaft cilësore, aq më shumë që në Britaninë e Madhe futbolli i femrave është i rëndësishëm, ndryshe nga ç’ndodh në Shqipëri.
Trajneri Grima ka prezantuar sot listën për ndeshjen në Skoci, ku bie në sy se janë 8 futbolliste nga Vllaznia, 3 nga Hajvalia e Kosovës dhe 5 vijnë nga jashtë, një numër i vogël, por që sipas Grimës ka ndodhur për shkak se shumë futbolliste nuk vijnë dot nga jashtë në këtë periudhë.
“Kam grumbulluar 18 futbolliste, sepse aq ishin mundësitë në këtë moment. Kemi një grup të vështirë, por do të bëjmë gjithçka për të marrë pikë në Skoci, edhe pse e dimë që përballë kemi një rival shumë të fortë.
“Do të mundohem t’i jap sa më shumë hapësirë kampionatit vendas, sepse këto vajza kanë nevopjë për mbështetje dhe stimulim. Kampionati ynë duhet të ketë sa më shumë vëmendje, që të rritet.
“Rivali ynë më i mundshëm për t’u përballur si të barabartë dhe për t’i marrë pikë është Bjellorusia. Synimi është të mos e mbyllim të fundit në grup. Me konsolidimin e grupit dhe rritjen e tij, do të kemi mundësi të shohim për më lart në të ardhmen.
“Lista ka qenë më e gjatë, por jemi detyruar të mos grumbullojmë disa futbolliste që luajnë jashtë, të cilat nuk e kanë të mundur të bashkohen me ne për arsye të ndryshme. Disa prej tyre punojnë dhe nuk mund të shkëputen disa ditë për ndeshjet dhe udhëtimet e kombëtares”.