Tirana është duke vuajtur largimin e Ngosë, ndërsa shpatullat e Muçit nuk mund të mbajnë ende përgjegjësinë për të tërhequr bardheblutë drejt suksesit. Kampionët kishin mundësinë për të shitur edhe talentin e tyre gjatë merkatos së verës, por janë tërhequr pasi Halili ka kërkuar një shifër shumë të lartë.
“Muçi? E kemi bërë një vit dhe e kam kërkuar unë. Për 400 mijë euro ne mbaronim punë për 5 minuta. Kemi pasur besim se po të qëndrojë edhe një vit do t’i rritet vlera e kartonit. Gjithashtu edhe si lojtar do të rritet. Muçi mund të ikë edhe në janar, edhe pse unë nuk jam dakord. Në fund mund të ikë”, është shprehur së fundmi Refik Halili pasi ishte i ftuar në emisionin “Pressing” që transmetohet në “ABC Neës”.
Gjithashtu presidenti i Tiranës ka komentuar edhe Ngo, që pritet të rikthehet tek Tirana. Një deklaratë e fortë do të vinte disa kohë më parë nga kreu i bardhebluve se këtë sulmues nuk mund ta marrë asnjë skuadër tjetër. Në emisionin e “Pressing” ka dhënë edhe një deklaratë më sqaruese për të treguar se arsyeja e vërtetë janë tekat e lojtarit që nuk mund të plotësohen në të gjitha vendet.
“Ngoo? E respektoj për golat dhe asistet që ka dhënë, edhe për kontributin e tij. Para se t’i përfundonte kontrata, negociatat kanë qenë të vazhdonte me ne. Ngoo bëri një propozim: nëse doni të qëndroj, dua 10 mijë euro në muaj edhe shtëpinë, që e ka pasur gjithmonë.
I thamë që jemi dakord, por të vish me 8 mijë euro në muaj dhe të kesh shtëpinë. Po afrohej finalja e Kupës, ai tha se e kishte bërë propozimin e tij dhe kërkoi me çdo kusht të largohej te familja, për punët e tij. Kërkoi të largohej. Do t’i jap nesër dokumentet, atë ditë që u largua ka marrë një shumë të konsiderueshme.
Është i vetmi futbollist që tentoi të bënte një kontratë shtesë edhe për muajt korrik e gusht. Ngoo është sot me një diferencë prej 5300 euro bonus, në kontratë e ka pasur 10 mijë euro, 5 mijë për titullin dhe 5 të tjera për golat e asistet. Atë ditë që u largua i dhamë 13 mijë euro, mbetet edhe një diferencë e muajit shtator. Nuk kam thënë që Ngoo nuk di të luajë futboll dhe nuk do të luajë më, kam thënë që do të jetë e vështirë të shkojë në një klub tjetër. E njoh mirë, ka disa teka që vështirë t’ia pranojnë diku tjetër. Ne e kemi gëlltitur, ka pasur edhe raste për gjoba, por nuk kemi bërë gjë. Ngoo ka qenë, ndoshta është akoma në Tiranë. Do mendohemi për të ardhmen e tij”, tha Halili.
Në fund nuk mund të mungonin ngacmimet edhe për djalin e tij, Grentin: “Më vjen keq, sepse përballon situata shumë të rënda. Nuk e di ku e gjen forcën. Ndoshta më ka ngjarë mua. Ai stërvitet rregullisht, megjithëse nuk kam dashur ta lodh shumë. Ai do të qëndrojë pjesë e klubit derisa të ketë dëshirë dhe fuqi. I bindur jam që do ia jap drejtimin atij. Nuk heq dorë nga klubi. Kur shoh lotët e tij kur ramë më dhemb shpirti. Kanë qarë edhe shumë lojtarë të tjerë dhe tifozë”, përfundoi Halili. /Sport Ekspres/