Greca e mbyll me Laçin, i prish punë një karton i kuq

Prej pak ditësh Bedri Greca ishte bashkuar me skuadrën e Laçit, vetëm për Kupat e Europës. Edhe pse marrëveshja u arrit mes drejtuesve, sot bëhet me dije se sulmuesi nuk do të jetë me kurbinasit as për ndeshjet e Europës. Planet janë prishur nga një karton i kuq, i marrë nga kryeqytetasi 2 vite më parë.

Greca në të shkuarën ka luajtur dhe me Kukësin, ku është aktivizuar në Kupat e Europës në dy takime. Asokohe 27-vjeçari është ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen që verilindorët kanë luajtur me Rudarin në transfertë, vetëm 20 minuta pasi ishte aktivizuar. Pikërisht ky karton i kuq e penalizon lojtarin në fjalë që të aktivizohet në ndeshjet që bardhezinjtë do të luajnë ndaj qipriotëve të Anorthosis Famagusta. Greca është penalizuar për 2 ndeshje nga UEFA, vendim që vlen edhe sot.

Në të tilla kushte nga sot Greca nuk do të stërvitet më me Laçin, por do të rikthehet nën urdhrat e teknikut Ze Maria.
Një lajm aspak i mirë për skuadrën e Laçit që tani në mënyrë urgjente duhet të gjejë një tjetër futbollist, së paku për Kupat e Europës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *