Gledi Mici në “mikroskop”, turqit në stadium për të

Mbrojtësi 26-vjeçar është gati për hapin e madh, pas disa sezonesh të suksesshme në Superiore. Rizespori do ta vëzhgojë nga afër sot

Më shumë se një mundësi për të synuar kualifikimin në turin e ardhshëm në Europa League, Skënderbeu i sheh ndeshjet ndërkombëtare të vjeshtës si një vitrinë të rëndësishme për lojtarët e vet. Këtë e ka shprehur qartë presidenti Ardjan Takaj dhe e ka mbështetur edhe trajneri Ilir Daja, i cili shpesh e përmend se objektivi kryesor i klubit tashmë është kampionati dhe titulli kampion. Shitja e Liridon Latifit në Hungari ka qenë një goditje e madhe për korçarët, që tashmë synojnë të ndjekin atë rrugë, duke shitur lojtarë në janar ose në verën e ardhshme. Jashanica e ka konfirmuar se në janar pret të largohet, por tashmë në fokusin e klubeve të huaj janë edhe lojtarë të tjerë dhe sot në qendër të vëmendjes është Gledi Mici.

MICI Mbrojtësi 26-vjeçar ka nisur sezonin e dytë te Skënderbeu, ku tashmë është një pikë kyçe dhe i paprekshëm në krahun e majtë. E ka nisur karrierën si anësor ofensiv ose si mesfushor dhe kjo e ndihmon shumë, pasi është një lojtar që e njeh mirë edhe fazën sulmuese, duke u bërë mjaft i rëndësishëm për trajnerin Daja. 32 ndeshje nga minuta e parë kampionatin e fundit, asnjëherë i zëvendësuar, vetëm një karton i kuq dhe rendiment konstant, vrap, presing dhe pjesëmarrje edhe në organizimin e sulmeve, më shumë se kaq nuk mund ti kërkohet. Prej vitit 2011 një klient i rregullt i Kategorisë Superiore, nga Kamza, te Flamurtari e Kukësi dhe tashmë në Korçë, Mici është gati për hapin e madh, për të provuar veten në një kampionat më cilësor, më të pasur dhe natyrisht më tërheqës edhe për trajnerët e kombëtares, kjo dihet.

RIZESPOR Klubi turk Çajkur Rizespor do të ketë vëzhguesit e vet sot në Elbasan. Sport Ekspres mëson se të dërguarit nga Turqia do të ndjekin nga afër mbrojtësin e Skënderbeut, duke mos u mjaftuar me pamjet filmike, që natyrisht nuk janë gjithmonë orientuese të sakta. Një sfidë kundër partizanit të Beogradit është testi ideal për të parë nga afër vlerat e Micit dhe për të vendosur më pas nëse vlen për klubin verdhejeshil me sponsor kompaninë e çajit Çajkur prej vitit 1990. Një çaj në Turqi prej janarit do të ngrohet jo pak karrierën e Micit, por edhe llogarinë bankare, edhe pse mbrojtësi nuk është keq në këtë aspekt, pasi edhe në Korçë ka një kontratë të rëndësishme. Rizespori është vetëm 3 pikë larg kreut në divizionin e dytë turk dhe ka synim të vetëm kthimin në Superligë, ku luan rregullisht prej shumë vitesh. Kategoria e dytë turke është e nivelit të lartë dhe ka lojtarë cilësorë e paga mjaft të rëndësishme, ndërkohë që aty luan edhe Renato Arapi.

ZEQIRI Kur thua Rizespor, menjëherë të vjen ndërmend Hair Zeqiri. Mesfushori vlonjat kaloi në verën e vitit 2011 nga Flamurtari në kampionatin turk dhe edhe atë sezon Rizespori luftonte për ngjitje në Superligë. Zeqiri luajti 20 ndeshje dhe ishte vetëm 23 vjeç, ndaj e ardhmja dukej turke, por në fund të sezonit 2011/2012 vendosi të kthehej në Vlorë. Tepër e fortë lidhja me Vlorën dhe Shqipërinë, por marrëdhëniet me klubin turk kanë mbetur shumë të mira. Pikërisht Zeqiri, i cili ka fituar edhe një Kupë Shqipërie duke luajtur me Gledi Micin në Vlorë, ka shërbyer si urë lidhëse me menaxherët turq të Rizesporit, ndërkohë që duket se nuk po mjaftohet vetëm me futbollin e luajtur dhe po transformohet në një agjent futbollistësh. Nëse Mici do të shkojë në Turqi, do të jetë edhe meritë e Zeqirit, i cili u ka folur mjaft mirë drejtuesve të Rizes për mbrojtësin e Skënderbeut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *