Dje në mbrëmje u luajt në Kupën e Francës një sfidë e rrallë, një “Milan-Inter”, duke parë dy skuadrat që u përballën në gjysmëfinale. Ngjyrat e skuadrave në fushë ishin identike, por nuk bëhej fjalë për derbin e madh të Milanos, sepse në fushë luhej… Les Herbiers-Chambly.
Një ndeshje historike, sepse për herë të parë në gjysmëfinale përballeshin dy klube nga kategoria e tretë franceze. Sido që të shkonte, do ishte një sukses madhor për secilën palë, sepse sfida e luajtur në Nantë (Les Herbiers ka një stadium me 5000 vende) u ndoq nga 35.000 tifozë, një shifër e pabesueshme, po të mendosh që Les Herbiers dhe Chambly së bashku nuk i kanë 25.000 banorë!
Trajneri i Les Herbiers (Milani francez për nga fanellat) është me origjinë italiane, tifoz i thekur i Juventusit, ndërsa Chambly është një Inter në miniaturë: ngjyra identike, pronarë dhe trajner italian! “Duel alla italian” titullonte Le Monde.
Në fund triumfuan ngjyrat kuqezi, sepse Les Herbiers fitoi 2-0, me gola nga David në minutën e 28-të dhe Gboho në të 80-tën, goli i fundit akorduar pas konsultimit me VAR-in. Les Herbiers shkon në finalen e madhe të 8 majit, ku përballë do të jetë fituesi i çiftit Caen-PSG. Trajneri Masala nuk do t’ia dijë: “Caen apo PSG? Kushdo që të dalë në finale, jemi ne favoritët”.
PREMIOT – Një fakt kurioz: Les Herbiers shkon në finale, por merr më pak shpërblim se Chambly! Federata franceze u jep nga 580.000 euro dy skuadrave të eliminuara në gjysmëfinale, ndërsa finalistet marrin vetëm 380.000 euro. Natyrisht, finalisti luan për lavdi dhe për trofeun, ndërsa humbësit kanë nevojë për pak ngushëllim. Tashmë Les Herbiers, me 99 vite histori dhe vetëm 3 vite në futboll profesionist, ëndërron goditjen e madhe, atë që për pak e realizoi Calais në vitin 2000, kur në finale u mund nga Nanta me një penallti në minutën e fundit të ndeshjes.