Gjyqi i hapur moral për “rrëmbimin” e Dorian Kërçikut, Etrit Berisha do të firmoste edhe kontratën

Një gjyq i hapur moral ka qenë në orët e fundit për Dorian Kërçikun. Futbollisti në fjalë pasi la Tiranën, zgjodhi që të shkonte te Bylisi. Atje nisi edhe të stërvitej, ndërsa sa i përket kontratës, klubi ballshiot procedon në mënyrë të tillë që t’i lërë dy ditë kohë lojtarëve dhe më pas të hedhin firmën.

Por Kërçiku do të largohej menjëherë, pasi sipas tij kishte një problem familjar në Tiranë. Gjatë kësaj kohe marrin menjëherë zhvillime të reja të historisë së transferimit dhe lojtari përfundon i zyrtarizuar te Partizani. Kjo nuk kishte sesi të pritej mirë nga drejtuesit e Bylisit që e kanë parë si pabesi.

Moralisht qendron, por Kërçiku ishte një futbollist i lirë dhe nuk e kishte hedhur firmën askund. Madje ka pasur edhe raste të tilla, si ai i Etrit Berishës. Kur portieri i Kombëtares ishte pjesë e Kalmarit, mori ofertë nga Kievo në Seria A. Menjëherë e pranoi duke firmosur kontratën, derisa Lacio trokiti në derë.

Atje është bërë gjithçka që Berisha të mos humbiste mundësinë e karrierës, për të kaluar te një skuadër më e madhe dhe duke e ndërruar vendimin. Drejtuesit e Kievos u ndien të ofenduar dhe e dërguan çështjen në KAS, ndërsa Berisha rrezikonte një dënim serioz, pasi e kishte pranuar firmën në kontratë te Kievo dhe u zyrtarizua te Lacios. Nga ana tjetër një justifikim kishte menaxheri i cili asokohe do të shprehej se nuk kishte qenë i pranishëm kur u hodh firma në kontratë dhe prandaj quhej e pavlefshme.

E gjitha kjo situatë, sipas asaj që kanë raportuar mediat italiane, do të zgjidhej me disa para nëndorë të dhëna nga Lacio për Kievon që të mbyllte çështjen dhe të mos e vazhdonte më gjatë. /Sport Ekspres/