Gjyla në krye të Lushnjës: Respekt për garën dhe veten!

Kryebashkiaku Fatos Tushe: Duam rikthimin e shpejtë në Superiore, ku nuk do të jemi si këtë radhë, por një skuadër tepër dinjitoze

Arjan Likja

Ilir Gjyla është zyrtarisht trajneri i ri i Lushnjës, jo vetëm për pjesën e mbetur të këtij sezoni, por edhe për të riun, që do ta gjejë skuadrën myzeqare në Kategorinë e Parë. Lajmin e ka bërë të ditur bëri publikisht vetë kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, pas një takimi “kokë më kokë” me trajnerin Ilir Gjyla në zyrën e tij. Nga sa mësohet, kryebashkiaku Tushe, njëkohësisht edhe presidenti i skuadrës verdhejeshile, e ka thirrur Gjylën në zyrë dhe i ka paraqitur propozimin për t’i besuar trajnerit lushnjar drejtimin e Lushnjës në vazhdim të këtij kampionati dhe në sezonin e ri. Në fakt, emri i Ilir Gjylës si kandidat për tu ulur në stolin e Lushnjës kishte kohë që përflitej, madje që pas dorëheqjes së Artan Banos, por atëherë kryebashkiaku Tushe vendosi për shkodranin Hysen Dedja. Pas dorëheqjes së këtij të fundit, ndimëstrajneri Dritan Çuko e drejtoi ekipin për 7 javë, duke regjistruar 7 humbje. Në fakt, u mendua se Çuko do ta drejtonte ekipin verdhejeshil të paktën deri në fund të këtij sezoni të dështuar, por dje situata ka marrë një rrjedhë tjetër. Ka dalë sërish në skenë emri i trajnerit Ilir Gjylës, këtë herë zyrtarisht, pasi gjithçka është bërë fakt i kryer nga ana e kryebashkiakut Fatos Tushe. Gjyla do të vazhdojë të punojë me ndihmësit aktualë, Çukon dhe Gjikën.

TUSHE – “Ecuria e Lushnjën gjatë këtij sezoni ka qenë shumë e dobët. Një ekipi me traditë në futbollin shqiptar nuk i shkojnë aspak për shtat paraqitje të tilla zhgënjyese, prandaj vendosa t’ia besoj drejtimin e Lushnjës Ilir Gjylës. Natyrisht, ky sezon mund të quhet i përfunduar, ndaj i kam kërkuar Gjylës që skuadra të bëjë paraqitje dinjitoze, duke menduar që tani për sezonin tjetër, ku ne do të konkurrojmë në Kategorinë e Parë. Pa dyshim që Kategoria e Parë do të jetë kalimtare, pasi objektivi ynë është rikthimi në Superligë dhe jo për një paraqitje si kjo e tanishmja, por shumë më të mirë, – u shpreh dje kryebashkiaku Tushe, pas emërimit të Gjylës.

GJYLA – Pasi mori bekimin” e kryebashkiakut Tushe, ka folur për mediet edhe trajneri i ri i lushnjarëve, Ilir Gjyla, i cili mes të tjerash ka theksuar se kërkon një skuadër serioze, që respekton garën dhe veten: Dua të falënderoj kryetarin e bashkisë për besimin ndaj meje, duke më dhënë mundësinë të drejtoj Lushnjën deri në fund të këtij sezoni. E pranova këtë ofertë, pasi kam besimin e drejtuesve edhe për sezonin e ri, në Kategorinë e Parë. Pra, do të vazhdoj punën edhe në Kategorinë e Parë dhe është më mirë që ta kapim situatën që tani. Do të respektojmë kampionatin deri në fund, sepse kështu do të respektojmë së pari veten. Kjo është ajo që dua nga Lushnja. Lojtarët duhet të jenë seriozë, sepse një tolerim tani e bën të ardhmen e tyre më të zymtë. Nëse shohin klubet e tjera që një lojtar toleron, nuk e marrin dhe më këtë dua të them se është në të mirët e tyre të jenë seriozë në fushë. Të marrim çfarë kemi mundësi të marrim në ndeshjet e mbetura të kampionatit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *