Ernest Gjoka ka dalë para mediave dhe ka folur për situatën në ekip, si dhe ka reaguar pas “akuzave” për mospërfillje të akademisë, duke argumentuar të kundërtën
Gaspër Marku
Humbja me Kukësin solli komentet të shumta dhe pakënaqësi në Shkodër. Mbledhja e Asamblesë solli të tjera diskutime dhe akuza. Kjo normalisht nuk është përjetuar mirë edhe në ekip. Trajneri Ernest Gjoka e ka pranuar diçka të tillë edhe në konferencën e djeshme për shtyp.“Ka qenë një javë e vështirë, komente, shumë zhurmë, me të drejtë, pasi pritej shumë. Kemi kaluar një ndeshje të vështirë, nuk e realizuam objektivin, por këtë javë jemi munduar ta mbajmë skuadrën sa më hermetike për të qëndruar larg zhurmës. Po përgatitemi për një ndeshje edhe më të vështirë se ajo kaluam, por unë kam besim se forca e skuadrës do rritet akoma më shumë”, deklaroi Gjoka, që thekson se i pret një ndeshje edhe më e vështirë me Skënderbeun. “E kishim të qartë që dy ndeshjet e fundit të kësaj faze ishin me dy ekipet më të mira të kampionatit. Me kampionët në fuqi e kaluam me rezultat jo pozitiv, ndërsa Skënderbeu e dini të gjithë çfarë skuadre është. Po mundohemi të jemi të qetë dhe të përgatitemi për të marrë diçka pozitive. Besoj se skuadra e ka potencialin për të dalë nga kriza, këmbëngul për këtë. Gjithsesi këto janë ndeshje shumë të vështira”, shtoi trajneri i Vllaznisë, që më tej kur pyetet nëse barazimi është rezultat i mirë, thotë: “Ne nuk duhet të kalojmë më tek humbja, kjo është e rëndësishme të fillojmë të rritemi, ta largojmë presion, të largojmë zhurmën që është rreth skuadrës”.
MBËSHTETJA E ADEMIT
“Java ka qenë e zhurmshme, jo vetëm nga rezultati, por edhe nga situata që ju i dini më mirë se unë. I takonte presidentes të vinte pranë nesh, nuk ka ardhur vetëm ajo, por edhe të tjerë drejtues të lartë. Skuadra është në presionin e kësaj zhurme. Mendoj që është pak e abuzuar. Sigurisht rezultatet duhen, por Vllaznia nuk është për herë të parë në këtë pozitë. Sigurisht ka ardhur një moment që nuk mban më ujë pilafi për të gjithë ju dhe zhurma është bërë e madhe. A është bërë për skuadrën apo për faktorë të tjerë, nuk e di, por kjo shkon në drejtim të ekipit. Kjo nuk i bën aspak mirë dhe presidentja po vjen të qëndrojë afër dhe për t’i qetësuar gjërat. E falënderojmë, pasi në situata të tilla, duhet të jemi të gjithë bashkë. Në llogore të ndryshme do jetë keq për Vllazninë”.
DEKLARATA E HASANIT PËR AKADEMINË
“Unë kam bashkëpunim me Albanin, nuk di të mos kem bashkëpunim. Mendoj që nëse ka skuadër në Superiore që ka 100% lojtar të produktit të vet, është Vllaznia. Po të shikoni ekipet e tjera kanë shumë pak. Vllaznia ka produkt të jashtëzakonshëm të akademisë së vet. Nganjëherë unë mendoj që kjo gjendje që është këtu është edhe për hir të punës së madhe të akademisë, që për t’i bërë sa më shpejt futbollistë i fusin shpejt në lojë. Për t’i marrë më të mirën janë shumë të vegjël për të mbajtur barrën në Superiore, ku ka shumë probleme. Një skuadër si Vllaznia, që ka lojtarët të akademisë 70%, më duket që tregon bashkëpunon. Po them që nuk ka punuar mirë akademia që nuk mbajnë peshën? A më kuptoni çfarë thashë? Është një skuadër që ka lojtarët e vet të akademisë, dhe për hir të akademisë së vet, produktit të vet, duke i marrë shumë të rinj këto lojtarë dhe duke u veshur fanellën e Vllaznisë, ndoshta prandaj kemi këto probleme, sepse kampionati shqiptar do lojtarë me shumë eksperiencë. Vllaznia i merr shumë të rinj dhe i fut në ekip të parë. Gradualisht po rriten, por nuk e mbajnë dot peshën. Këto pas një viti apo pas dy vitesh do ta ndryshojnë faqen e Vllaznisë në vendet e para. Por bashkëpunimi me akademinë ka qenë shumë i mirë, kjo sepse Krymi, Çinari, Kalaja, Pjeshka, Gurishta, Sherri, Vjerdha, Pusi, Ruqi dhe Hyseni që e sollëm tek ekipi i parë, të gjithë janë produkt i akademisë. Nëse s’do kishim bashkëpunim, ata nuk do ishin këtu. Albani ka të drejtë, pasi akademia po nxjerr lojtarë. Nuk e kundërshtoj, pasi punohet. Por unë mendoj se Vllaznia është e vetmja që luan me produktin e vet. Vjet ndoshta ishte me 90% të ekipit. Ne nuk mund të marrim një 16 ose 17-vjeçar ta fusim në ekipin e parë, sepse nuk e mban dot. Kjo është të rresh veten. Çinari ka një vit e gjysmë që luan këtu, Krymi po ashtu, Gurishta, Pjeshka, këta janë akademia. I shikoj si e ardhmja e Vllazninë, jo vetëm nga ana sportive, por edhe nga ana e marketingut-biznes, sepse këtu ka lojtarë cilësorë. Ju e dini shumë sa lojtarë na i kanë kërkuar në dhjetor. Ai ka shumë të drejtë. Merkato? Durim, çdo gjë ka kohën e vet. Edhe kur mbillet ara, hidhet fara dhe pas disa kohësh korret gruri. Përnjëherë nuk del, ndaj durim”.
PUBLIKIMI I PAGAVE
“Është gabimi më i madh dhe është rast unikal në gjithë futbollin botëror kjo që u bë kësaj radhe. Uroj që ai që e ka nxjerrë atë listë të mos ketë qenë i botës së futbollit, sepse do jetë e shëmtuar. Në asnjë vend nuk mund të krahasosh dhe nxjerrësh pagën e një sportisti. Nuk ka pse të dimë pagat e njërit-tjetrit, kjo nuk është normale. Këtu vazhdon prapë të bëhet një zinxhir jo i mirë për të futur siklet mes lojtarëve. Këto sjellin keqkuptime, krijohen pakënaqësi, një thotë unë po luaj po marr më pak, ai nuk luan merr shumë më shumë. Nuk është normale, nuk është profesionale, nuk është qytetare. Ky është rast unikal dhe është për keqardhje. Nuk ndodh askund, kontratat janë private. Nëse dikush e rrit rrogën nga një lek në pesë, e ka merituar. Sot askush nuk ta jep një lek, nëse nuk e meriton”.