Ernest Gjoka pret përforcime dhe kështu i është premtuar, në mënyrë që Vllaznia të paraqitet ndryshe në pjesën e dytë të sezonit, me një mbrojtje të përforcuar dhe sulm të ri.
Megjithatë, pas largimit të Edon Hasanit, për të cilin ende nuk merret vesh çfarë do të bëhet, sepse klubi pretendon se nuk ka njoftuar askënd dhe është nën kontratë, një tjetër titullar rrezikon të largohet.
Nurudin Orelesi, mesfushor i përshtatur qendërmbrojtës këtë sezon, ka oferta nga jashtë dhe mund të largohet, pasi edhe kontrata e lejon.
Për këtë çështje, Gjoka shprehet se shpreson të zgjidhet në të mirë të Vllaznisë, sepse Orelesi i duhet shumë, ndoshta edhe si mesfushor qendre: “Të jeni të sigurt që po punojmë shumë, sidomos në mbrojtje që është një nga pikat tona të dobta. Na janë paraqitur shumë alternativa si për lojtarë vendas, ashtu edhe të huaj. Po i studiojmë që të mos gabojmë. Ndërtimin e skuadrës do ta nisim ashtu siç fillon gjithçka: nga themelet. Nuk e di si i kanë klauzolat futbollistët, sepse nuk kam qenë në fillim të ndërtimit të ekipit. Unë merrem me anën teknike të Vllaznisë. Për mua, Orelesi është një nga lojtarët kryesorë të Vllaznisë. Duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundur, që këtë futbollist ta mbajmë”.