Gjoka: Në Kukës më kënaq barazimi, Teuta nuk bie

Trajneri i Vllaznisë, pavarësisht probleme me mungesat, beson se skuadra e tij mund të marrë pikë në transfertë, nëse zbaton detyrat

Gaspër Marku

Kuqeblutë luajnë sot ndeshjen e radhës në “Zeqir Ymeri”. Një ndeshje, që në kampin shkodran paraqet një interes të madh, pasi rezultati ndikon jo pak në garën e mbijetesës. Vllaznia do të ketë përballë Kukësin kampion në fuqi, që kërkon të mbajë vendin e dytë. Ajo që e bën të veçantë këtë përballje ka të bëjë me atë që Gjoka rikthehet në Kukës, ku sezonin e fundit i ka sjellë suksesin më të madh ekipit vendës, titullin e parë kampion në histori. Problemet që e kanë shoqëruar Vllazninë para ndeshjes nuk kanë qenë të vogla. Ka pasur probleme me dëmtimin e disa lojtarëve, por edhe me mbrojtësin Renato Malota, i cili ka një çështje ligjore për të zgjidhur dhe nuk është gati sot. Gjithsesi, kuqeblutë kanë udhëtuar drejt Kukësit me plot besim për të marrë një rezultat pozitiv. Trajneri Gjoka, në prononcimin para ndeshjes, ka theksuar se e kënaq pika në Kukës.

Profesor, keni kaluar një javë të vështirë para ndeshjes me Kukësin. Si është situata?

Po, kjo javë ishte e vështirë, nisur nga situata ku jemi. Takimi që kemi në transfertë me Kukësin kampion na gjen me disa probleme dhe të gjitha këto e shtojnë vështirësinë.

Çështja “Malota”, sa ka vështirësuar punën për ju?

Është një problem shumë i madh. Jemi shumë të shqetësuar, sepse është një gjendje kaotike, që nuk dimë çfarë të themi. Na mungon një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit në mbrojtje. Nuk kam asnjë kontakt dhe pres që lojtari të rikthehet sa më shpejt.

E prish sistemin e lojës së ekipit dhe planet tuaja mungesa e tij, por edhe mungesat e tjera?

Sigurisht që e prish, pasi kishim krijuar një stabilitet në mbrojtje, ku Malota është lider. Do të mundohemi të ecim përpara, pasi ky është një moment i vështirë, që i ndodh çdo skuadre. Ta kthejmë dhimbjen në forcë dhe të shikojmë përpara.

Vllaznia ka treguar se di ta ndalë Kukësin?

Do të mundohemi të bëjmë maksimumin. Takimi i fazës së dytë nuk shkoi mirë. Ishte një takim që na dëmtoi shumë, jo vetëm nga ana e pikëve, por edhe moralisht. Jemi ngritur dhe ndeshja e radhës do të jetë ndryshe. Atë fushë e njoh shumë mirë, pasi më ka sjellë shumë kënaqësi. Duhet të bëjmë detyrat mirë dhe të jemi rigorozë dhe të fortë, të uritur për atë që do të kërkojmë.

Çdo ndeshje ka momentet e veta të mira apo të këqija. Mbaj mend takimin e dytë me Kukësin, që e humbën në Shkodër. Nuk mbaj mend rezultatet pozitive, pasi humbjet të bëjnë të mendosh dhe punosh që të rregull gjithçka.

Objektivi i Vllaznisë është të mbajë diferencën me Teutën, apo synoni të kapni ndonjë skuadër tjetër në luftën e mbijetesës?

Vazhdoj të këmbëngul se Teuta është një rrezik konstant. Një skuadër, që nuk e shoh për të rënë nga Superliga, kështu që do të përpiqemi të kapim skuadrat e tjera. Teuta është rrezik shumë i madhe për ne.

Do t’ju kënaqte në Kukës edhe një pikë?

Në një ndeshje në transfertë, përballë ekipit kampion, do të na kënaqte çdo gjë, përveç humbjes.

Keni pasur probleme me dëmtimet, si është gjendja e tyre?

Mendoj se Vucaj nuk duhet të sakrifikojë, Krymi po mundohet të jetë i gatshëm dhe këtu duhet që të falënderoj stafin mjekësor.  Vucaj nuk ia del dhe nuk do të rrezikojmë.

Vllaznia B ka pasur një ndeshje me incidente në Peshkopi. Keni një koment për të?

Jam i botës së sportit dhe më vjen shumë turp, kur dëgjoj të tilla situata. Uroj të jetë e fundit. Uroj të jetë një dorë e fortë dhe këto gjëra, nëse janë të vërteta, të marrin fund një herë e mirë. Me këto lloj situatash, do të vazhdojmë të jemi në një vorbull shumë të shëmtuar.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *