Gjithçka quhet normale në një vend anormal! Ngjarja e shëmtuar te Tërbuni-Turbina, vendimet e arbitrave zgjidhen mes grushteve

Në një vend anormal, gjithçka quhet normale. Kaq shumë dëgjohet për vrasjet dhe gjithçka tjetër të zezë që ndodh në çdo ditë në Shqipëri, aq sa nuk bëjnë më përshtypje dhe tërheqin vëmendje.

Këtë “ftohtësi” të krijuar nga jeta e përditshme e shfaqim edhe në futboll. Në ndeshjen e djeshme mes Tërbuni dhe Turbinas, gjithçka do të ndërpritej pas goditjeve dhe shtyrjeve ndaj arbitrit anësor. Arsyeja ishte “e fortë”, anulimi i një goli.

Lojtarët që ishin në fushë, ata nga stoli, stafi teknik dhe drejtues shkuan në vrapim për të shtyrë, goditur dhe kërcënuar arbitrin për vendimin e marrë. Madje edhe në ligjin e rrugës, një skenë e tillë nuk mund të ndodhte pasi kundër një personi, nuk mund të mblidhen kaq shumë njerëz për t’i dalë kundër dhe ta vendosin përfund.

Aq më tepër në futboll, ku ekziston një rregull i qartë, i cili nuk duhej tejkaluar për asnjë arsye. Megjithatë edhe kjo lloj dhune konsiderohet normale, aq sa nuk bën asnjë përshtypje të vetme. Me siguri që protagonistët e gjithë kësaj ngjarje presin që të dënohet arbitri për padrejtësinë që sipas versionit të tyre është kryer, por vetë të dalin të shpëtuar nga e gjitha kjo që ndodhi.

Për sa kohë do të kemi skena të ngjashme, nuk mund të flitet kurrsesi për futboll dhe vendime të diskutueshme të arbitrave. Ka forma dhe forma për të protestuar ndaj kryesorëve të takimit, dhuna nuk është zgjidhje, ajo ndëshkohet! /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *