Mund të gjesh arsye objektive sa të duash, por në fund të gjithë do mbeteni të habitur. Stadiumi i Luftëtarit mban minimalisht 4-5 mijë tifozë, ndërkohë që mesatarja për ndeshje nuk shkon më shumë se 700 tifozë. As 15% e stadiumit plot. Dhe të mendosh që kjo është skuadra e momentit në futbollin shqiptar. Ka mundur Skënderbeun, dy herë Kukësin, Partizanin dhe Flamurtarin në transfertë. Luan futboll argëtues, sheh nga sulmi dhe jo nga mbrojtja, merr komplimentet e gjithë Shqipërisë. Si ka mundësi atëherë që gjirokastritët nuk duan ta shohin Live skuadrën e tyre? Ndonjë arsye objektive edhe mund të rendisësh. Thonë që ka krizë financiare dhe pallatet janë plot, thonë që orari është i papërshtatshëm, thonë që ka konkurrencë për ndeshje ndërkombëtare, thonë që nuk ka besim.
Po si mund t’i konsiderosh këto arsye logjike, në një qytet me mijëra të rinj, kur bileta është vetëm 200 lekë të reja, kur luhet në kushte atmosferike si për shembull e mërkura e shkuar, pa asnjë konkurrencë nga ndeshjet ndërkombëtare e ca më tepër në një ditë pushimi? Çfarë po ndodh?
Në një renditje virtuale të numrit të tifozëve në kampionat, Luftëtari duhej në këtë moment të ishte i pari. Nuk është kështu. Skënderbeu dhe Flamurtari ndajnë dy vendet e para, ndërkohë që numri ulët i tifozëve në Shkodër edhe kuptohet, se skuadra ka vite që nuk është në nivele të larta. Të tjerët vërtiten rreth 1 mijë tifozë për ndeshje e shumta dhe sigurisht që kjo shifër nuk është e ulët se sa rajoni.
Po Gjirokastra bën realisht habi. Askush nuk kërkon tribunat e tejmbushura të viteve 80’, sepse kohërat kanë ndryshuar, por të mos mbushësh dot as çerekun e stadiumit, kjo nuk është normale. Futbolli luhet për tifozët dhe qytetin, qyteti është në borxh me skuadrën.
Gjergji Stefa